Osmani: Incidenti me tifozët të mos vendoset në kontekstin e marrëdhënieve mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë

Nuk mund që përmes tifozëve të nxirren konkluzione për marrëdhëniet mes vendeve. Kështu i është përgjigjur ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, pyetjes së gazetarit bullgar të BTV-së për incidentet pas ndeshjes futbollistike Shkupi-Levski, apo siç konkludoi gazetari, për sulmet e shpeshta ndaj bullgarëve, transmeton Portalb.mk.

“Më herët në Maqedoninë e Veriut kemi pasur shpesh incidente të tilla mes tifozëve të grupeve dhe komuniteteve të ndryshme etnike. Gjithmonë kam qenë i mendimit se nuk mund të nxirren konkluzione për marrëdhëniet ndërmjet grupeve të ndryshme etnike, në këtë rast edhe vendeve, përmes tifozëve. Është një botë e veçantë në të cilën tifozët kanë një raport të veçantë me njëri-tjetrin dhe ngjarjet mes klubeve dhe tifozëve të ndonjë grupi nuk duhet të vendosen asnjëherë në kontekstin e marrëdhënieve politike brenda apo ndërmjet vendeve”, tha Osmani.

Në brifingun e sotëm me gazetar, Osmani tha se nuk bën korrelacion mes incidenteve dhe marrëdhënieve mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë. Për të ajo është çështje për vendosjen e rendit, identifikimin e autorëve dhe shprehjen e keqardhjes publike për ngjarjet. Ai tha se kanë komunikuar me autoritetet bullgare dhe se qëndrimi i tyre është i ngjashëm.

I pyetur nëse ka pasur tentativa për t’ia bartur fajin për ngjarjet te pala maqedonase dhe për provokimet e tifozëve të klubit bullgar Levski, Osmani tha se në deklaratën e MPJ-së maqedonase flitet edhe për provokimet e bazuara në identitet, por edhe për tifozët e lënduar.

“Është botë më vete, te tifozët, dhe nëse lejojmë ashtu lehtë të bëhet korrelacion dhe përhapja, mendoj se thjesht po e dëmton marrëdhënien. Nuk besoj se tifozët kanë reaguar ashtu si kanë reaguar për shkak të paragjykimeve për shkak të përkatësisë etnike të mysafirëve nga Bullgaria dhe nuk besoj se tifozët nga Bullgaria e kanë bërë këtë për shkak të stereotipeve. Kështu funksionojnë tifozët. Shteti duhet të marrë të gjitha masat për ta parandaluar dhe për të identifikuar dhe dënuar ata që kanë ushtruar dhunë”, tha Osmani.

Osmani theksoi se para ndeshjes dy shtetet kanë komunikuar në nivel qeveritar dhe e kanë cilësuar si ndeshje me rrezikshmëri të lartë dhe policia ka marrë të gjitha masat për parandalimin e dhunës.

I pyetur për reagimet e politikanëve bullgarë se me këtë Maqedonia po largohet nga Evropa, ai tha se është për të ardhur keq sepse ngjarja është vendosur në kontekst politik, dhe disa politikanë në Bullgari marrin pikë politike.

“Kushdo që përpiqet të nxjerrë analiza politike nga tensionet mes tifozëve, po e bën këtë me keqdashje dhe nuk mendon mirë për themelet mes dy vendeve”, shtoi ai.

Shefi i diplomacisë së Maqedonisë ka komentuar edhe një këngë, siç tha ai, me përmbajtje të rëndë dhe gjuhë urrejtjeje që është transmetuar në mediat bullgare. Ai tha se për këtë ka reaguar në një kanal tashmë të krijuar, i cili ka dalë nga Protokolli i nënshkruar, në të cilin raportohet gjuha e urrejtjes, dhe kështu rasti është raportuar në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Bullgarisë.

Më 27 korrik u arrestuan gjithsej 19 persona për prishje të rendit dhe qetësisë publike para dhe gjatë ndeshjes së futbollit ndërmjet ekipeve të KF “Shkupi” nga Shkupi dhe KF “Levski” nga Sofja.

Siç njoftoi MPB-ja, janë ndaluar 19 tifozë nga Republika e Bullgarisë. Nga këta, tetë persona janë ndaluar për dhunë në ndeshje sportive, dy persona për sulm fizik ndaj punonjësve të policisë që kryenin veprime zyrtare dhe nëntë për sjellje agresive ndaj tyre.