Prokuroria kërkoi paraburgim për sulmuesin e shefit të policisë së Strugës, Spasovski: Ky është sulm ndaj shtetit

Prokuroria Themelore Publike (PThP) Strugë ka dalë me detaje për ngjarjen e djeshme kur shefi i policisë së Strugës është goditur me thikë, duke theksuar se rastin po e trajtojnë si tentativë për vrasje, për të cilën i dyshuar është një 44 vjeçar, për të cilin MPB-ja dje njoftoi se është nga fshati Veleshtë, transmeton Portalb.mk.

Sipas informacioneve nga PThP Strugë, i dyshuari e ka tejkaluar me veturë shefin, e ka kanosur me armë, dhe mes të dyve ka ndodhur rrahje.

“Përderisa viktima ishte në veturën e tij, i dyshuari e ka parakaluar në afërsi të Qendrës mjekësore në Strugë dhe ka parkuar paralelisht me të. Fillimisht ai filloi t’i bërtiste dhe ta kërcënonte me armë se do ta vriste, duke akuzuar shefin se po dërgonte vazhdimisht oficerë policie për ta ndjekur. I lënduari ka dalë nga vetura dhe mes tyre ka ndodhur një përleshje e shkurtër fizike, pas së cilës janë ndarë nga kalimtarët e rastit”, kanë thënë nga PThP Strugë.

Më pas, shefi hipi në makinën e tij për të thirrur policinë, dhe i dyshuari e riparkoi automjetin e tij dhe doli me një thikë në dorë.

“Ai i ka shkaktuar një prerje nën nofullën e poshtme në drejtim të qafës, me gjatësi 11 dhe thellësi 5 centimetra. Menjëherë më pas është larguar nga vendi i ngjarjes”, shtoi prokuroria e Strugës.

Nga aty shtojnë se kanë dorëzuar propozim në Gjykatën Themelore të Strugës për caktimin e masës së paraburgimit për shkak se ekziston rreziku që i dyshuari të arratiset, të ndikojë te viktima dhe dëshmitarët, si dhe ta përfundojë tentativën e vrasjes.

Ndërkohë, nga Ministria e Punëve të Brendshme njoftojnë se ministri Oliver Spasovski ka vizituar në spital kryeshefin e policisë së Strugës, D.A.

Nga MPB thonë se D.A. është në gjendje të qëndrueshme shëndetësore.

“Ministri i Punëve të Brendshme Oliver Spasovski dhe drejtori i Byrosë për Siguri Publike Sasho Tasevski sot (29.07.2023) kanë vizituar shefin e plagosur të DPB-Struga D.A., ndaj të cilit ka pasur tentim brutal për vrasje, e cili aktualisht ndodhet në gjendje stabile shëndetësore. Pas masave operative të marra ndaj S.N. është bërë kallëzim penal për veprën penale “vrasje në tentativë” dhe gjyqtari i procedurës paraprake i ka caktuar masën e paraburgimit për 30 ditë, pas çka sulmuesi S.N. është dërguar në burgun e Shkupit”, thuhet mes tjerash në njoftimin e MPB-së.

Një ditë më parë një 30-vjeçar sulmoi zyrtarët policorë në një stacion policor. I dyshuari, siç thuhet, më 26 korrik ka hyrë në objektin e Sektorit për Punë të Brendshme (SPB) Strugë dhe ka filluar të bërtasë dhe të ofendojë zyrtarët policorë për shkak të një veture të konfiskuar.