RMV, për reklamimin e regjistrimit të popullsisë janë shpenzuar shtatë milionë denarë, kurse ishin planifikuar vetëm dy

Gjatë Regjistrimit të popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave, proces i cili është bërë në vitin 2021, janë lidhur kontrata për blerjen e laptopëve, pa kryer procedurën e duhur për prokurim publik. Është blerë një aplikacion softuerësh për vetëregjistrim pa kompensim dhe pa u përcaktuar nëse ishte sponsorizim apo donacion. Po ashtu, për fushatën për popullarizimin e regjistrimit janë shpenzuar 7,3 milionë denarë, që është më shumë se paratë e planifikuara për këtë qëllim në planin financiar për regjistrim në vlerë prej 2,2 milionë denarë, transmeton Portalb.mk.

Këtë e konstatuan revizorët shtetërorë në raportin përfundimtar për auditimin e përputhshmërisë “Regjistrimi i popullsisë, amvisërive dhe banesave në RMV 2021”.

Revizorët kanë konstatuar mospërputhje në lidhje me prokurimin e mallrave dhe shërbimeve për nevojat e regjistrimit, duke përfshirë edhe prokurimin e aplikacionit softuer për vetëregjistrim pa kompensim, pa specifikuar nëse bëhet fjalë për donacion apo sponsorizim. Në procedurat e prokurimit publik, deklaratat për mosekzistencën e konfliktit të interesit nënshkruhen vetëm nga ata anëtarë të komisioneve të prokurimit publik që kanë marrë pjesë në procedurë.

Është zbatuar edhe procedurë për prokurimin e shërbimeve për fushatë mediatike me negocim pa shpalle publike dhe pa dhënë paraprakisht opinion pozitiv nga Byroja për Prokurime Publike. Janë prokuruar edhe pajisje për mbrojtje nga COVID-19 pa kryer procedurë të prokurimit publik.

“Janë formuar organe dhe grupe pune profesionale pa rregullim ligjor të një pjese të tyre, përcaktim të saktë të numrit të anëtarëve, kritereve, kushteve dhe lartësisë së tarifave. Plani financiar për regjistrimin e popullsisë është miratuar në mars të vitit 2021 nga Byroja për regjistrim, në vlerë prej 522,751 mijë, ndonëse pagesa për një pjesë të aktiviteteve që lidhen me regjistrimin ka filluar që në vitin 2019. Për situatat e konstatuara në lidhje me prokurimin publik kemi dhënë rekomandime për marrjen e masave dhe aktiviteteve të duhura për tejkalimin e tyre”, thuhet në raportin e auditorëve.

Regjistrimi i popullsisë, amvisërive dhe banesave 2021 është përgjegjësi e udhëheqësisë së Entit Shtetëror të Statistikave (EShS), i përfaqësuar nga drejtori Apostol Simovski, si dhe zëvendësdrejtori Ilmi Selami.

“Në organizimin dhe zbatimin e regjistrimit merr pjesë edhe Këshilli i Statistikave, i cili i jep mendim drejtorit të ESHS-së për përmbajtjen e metodologjisë për regjistrimin dhe formularët e regjistrimit, për masat organizative dhe teknike për mbrojtjen e të dhënave nga regjistrimi. Konstatuam se kompania që prodhon aplikacionin menaxhohet nga një person i cili në periudhën nga data 25.05.2019 deri më 23.09.2020 është anëtar i Këshillit të Statistikave, gjë që mund të cenojë kompetencat e tij publike dhe detyrat zyrtare”, thuhet në raport.

Ajo që po ashtu thuhet në të është se aplikacioni softuer nuk është regjistruar në librat e biznesit të ESHS-së, gjë që sipas auditorëve “ndikon në besueshmërinë e të dhënave në Raportin për regjistrimin e kryer të popullsisë, banesave dhe ekonomive familjare, të dorëzuar në Qeveri”.

“Komepnsimi për anëtarët e Byrosë së Regjistrimit dhe për grupet e punës të formuara nga Byroja për regjistrim llogaritet në bazë të kritereve me një numër të caktuar pikësh, përkatësisht: për një veprimtari specifike të kryer dhe për orët shtesë të punës pas orarit të rregullt të punës dhe në ditët e fundjavës (të shtunave dhe të dielave), duke përcaktuar një vlerë prej 1 pikë. Në rregulloren e përmendur nuk janë të rregulluara kriteret, si dhe vlera e pikëve, ndërsa tarifat paguhen në bazë të vendimeve të veçanta të drejtorit, gjë që krijon mundësi për përcaktimin subjektiv të sasisë së pikëve, e me këtë edhe shumës së kompensimit”, shkruan në raport.