ANALIZË: Tre komuna në RMV kanë më shumë se 9 milionë euro borxh, kjo është lista e komunave me borxhe më të mëdha

Në tre muajt e parë të vitit, komunat në vend kanë raportuar gjithsej detyrime të prapambetura, por të papaguara në vlerë prej 56,4 milionë euro. Krahasuar me dhjetorin e vitit 2023, borxhi është zvogëluar për 2,3 milionë euro. Në listën e re të borxhlinjve për këtë vit, ka “rotacione” në pozitat e komunave me borxhe më të mëdha. Vetëqeverisjet më të vogla lokale kanë borxhe milionëshe, shkruan analiza javore ekonomike e Portalb.mk.

Komunat e me borxhe më të larta se 1 milion euro

Në “listën e re të borxhlinjve” në dhjetëshen e parë nuk ka komuna, por megjithatë disa prej tyre renditen lart për nga shuma e borxheve, ndërsa disa prej tyre i kanë rritur ndjeshëm detyrimet e tyre të prapambetura, por të papaguara. Në fund të muajit mars të këtij viti, më e ngarkuar me borxhe ishte komuna e Gostivarit, e cila “ia vodhi” primatin komunës së Tetovës, e cila në fund të vitit të kaluar ishte e para në shoqërinë e “komunave me borxhe më të mëdha”.

Komuna e Gostivarit në fund të tremujorit të parë të vitit ka raportuar detyrime të papaguara në vlerë prej 9,5 milionë euro, që është 1,2 milionë euro më shumë se situata në fund të dhjetorit të vitit të kaluar. Prapa kësaj komune sipas shumës së borxheve është Qyteti i Shkupit me detyrime të prapambetura, por të papaguara prej 9,3 milionë euro ose 2 milionë euro më shumë se në dhjetor të vitit 2023. Komuna e Tetovës në periudhën e analizuar ka pasur borxhe të prapambetura në vlerë prej gati 9,1 milionë euro, që është një rritje e borxhit prej 720,600 euro për tre muaj.

E katërta për nga borxhet është Komuna e Dellçevës me një shumë të borxhit prej 3.1 milionë euro me një rritje minimale prej vetëm 1.000 euro për tre muaj, ndërsa në vendin e pestë është Komuna e Kisella Vodës me detyrime të prapambetura, por të papaguara në vlerë prej 1,6 milionë euro, që është për 190.600 euro më pak në krahasim me situatën në fund të dhjetorit të vitit të kaluar, e menjëherë pas kësaj komune janë: Komuna e Koçanës dhe Komuna e Kavadarit me nga 1,5 milionë euro fatura të prapambetura dhe të papaguara, dhe Komuna e Vasilevës me një shumë prej 1,4 milionë euro.

Komuna e Strugës në fund të marsit të këtij viti ka raportuar detyrime të prapambetura në vlerë prej afro 1,5 milionë euro, që është gati 225.000 më pak se në dhjetor të vitit 2023. Pas kësaj vetëqeverisjeje lokale në listë renditet Komuna e Vrapçishtit me një borxh prej 1,3 milionë euro. Komuna e Çairit ka raportuar borxhe prej gati 1,1 milionë euro, ndërsa pas saj janë Komuna e Prilepit me detyrime të prapambetura, por të papaguara në vlerë prej 1 milion euro dhe Komuna e Likovës me 904.000 euro, e më pas vijnë vetëqeverisjet e tjera lokale me borxhe më të ulëta se Likova.

Të gjitha komunat në vend në tremujorin e parë kanë raportuar detyrime në vlerë prej 56,4 milionë euro, ndërsa në dhjetor të vitit të kaluar borxhet kanë qenë 58,7 milionë euro.

Vetëm pesë vetëqeverisjet e para lokale për nga borxhet kanë detyrime të prapambetura, por të papaguara në vlerë prej afro 33 milionë euro, që paraqet madje 58% të borxhit total të të gjitha komunave. “Portalb”-i tashmë ka publikuar se në fund të tremujorit të parë të vitit, totali i borxhit “të brendshëm” ka arritur gati gjysmë miliardë euro, që është për madje 82 milionë euro më shumë krahasuar me dhjetorin e vitit të kaluar. Pjesa më e madhe e shumës totale të borxhit, ose 235,4 milionë euro, i takon NP-ve shtetërore dhe kompanive të themeluara nga shteti, ndërsa në vend të dytë janë NP-të komunale me vlerë prej 76,7 milionë euro. Në listën e re të Ministrisë së Financave janë 954 borxhlinj.