Në Maqedoninë e Veriut më pak leje ndërtimi, por më shumë para të investuara në ndërtimtari

Në muajin mars krejt komunat e Maqedonisë së Veriut kanë dhënë gjithsej 321 leje për ndërtim, duke shënuar ulje të numrit të lejeve në krahasim me marsin e kaluar, transmeton Portalb.mk.

“Gjatë muajit mars të vitit 2024 janë dhënë 321 leje ndërtimi, që është për 22.7 % më pak se në muajin e njëjtë të vitit paraprak”, raportoi Enti.

Enti theksoi që vlera e objekteve që kanë marrë leje për ndërtim arrin 95 milionë euro, apo 4.8 përqind më shumë se vlera e marsit të kaluar.

“Nga numri i përgjithshëm i numrit të lejeve të dhëna për ndërtim 193 (60.1 %) janë të dedikuara për objektet e ndërtimit të lartë, 56 (17.5 %) për objektet e ndërtimit të ulët dhe 72 (22.4 %) objektet për rikonstruim”, raportoi Enti.

Më së shumti leje janë dhënë nga komuna e Gjorçe Petrovi (56), Tearca (21), Manastiri (15), etj.