RMV, për katër ditë 9 mijë qytetarë aplikuan për vauçerë për inverterë, shpallja është mbyllur

Për shkak të numrit të madh të aplikimeve të pranuara, Ministria e Ekonomisë ka marrë sot vendimin për mbylljen e shpalljes publike për dhënien e vauçerëve për blerjen dhe instalimin e kondicionerëve inverter me efikasitet të lartë në amvisëri për vitin 2024, transmeton Portalb.mk.
Qytetarët do të mund të aplikojnë për shpalljen publike për përfitimin e mbështetjes financiare vetëm nëpërmjet dhënies së një konfirmimi-vauçerit për blerjen dhe instalimin e kondicionerëve inverter për personat që i përkasin kategorisë së konsumatorëve në nevojë shfrytëzues të energjisë elektrike. Afati i fundit për këtë shpallje është data 15 shkurt.
Dy shpalljet publike janë publikuar në faqen e Ministrisë së Ekonomisë më 1 shkurt.
Në arkivin e Ministrisë së Ekonomisë, në vetëm katër ditë pas publikimit të thirrjeve publike, kanë mbërritur më shumë se 9 mijë aplikime, që e kalon numrin e parashikuar prej mbi 7 mijë familje që mund të marrin kupon.
Në thirrjen e parë, vauçeri është 23.000 – 25.000 denarë për blerjen e inverterëve, ndërsa për kategoritë e rrezikuara të qytetarëve shuma ishte më e lartë, deri në 30.000 denarë.
Nëse nuk regjistrohen mjaft qytetarë për thirrjen e dytë, paratë do të ndahen për të parën.
210.000.000 denarë janë planifikuar për ndarjen e vauçerëve për pajisjet invertere sipas Programit për nxitjen e efikasitetit energjetik të amvisërive për vitin 2024. 45.000.000 denarë janë paraparë në Buxhetin e Ministrisë së Ekonomisë për ndarjen e bonove për pajisjet inverter për konsumatorët e cenueshëm të energjisë.
Gjithsej 255.000.000 denarë ose 4,1 milionë euro për të gjitha kategoritë në dy thirrjet publike janë planifikuar për ndarjen e kuponëve për pajisjet inverter.
Vauçerët do të merren me postë pasi të jenë shqyrtuar kërkesat dhe është shpallur thirrja publike për përzgjedhjen e kompanive nga të cilat qytetarët do të mund të blejnë kondicionerë.