Rreth 900 punëtorë të Drejtorisë për të Ardhura Publike prej korrikut do të marrin paga më të larta për 30%

Me nënshkrimin e marrëveshjes së re kolektive në mes të sindikatës dhe menaxhmentit të Drejtorisë për të Ardhura Publike (DAP) në Maqedoninë e Veriut, rreth 900 të punësuar në DAP do të marrin rrogë 30% më të lartë për muajin korrik, transmeton Portalb.mk.

Në pres-konferencën e përbashkët të Drejtorisë për të Ardhura Publike (DAP), drejtoresha Sanja LLukarevska falënderoi për raportin profesional në procesin a pajtimit dhe theksoi se përveç kënaqësisë nga rritja e rrogave, do të kenë obligim, atë ta arsyetojnë me më shumë rezultate, me reforma më të suksesshme tatimore, me shkatërrimin e evazionit fiskal e kështu me radhë.

Marrëveshja u arrit dje në mes të dy palëve me ndërmjetësimin e pajtuesit dhe me atë rast drejtoresha e DAP, Sanja LLukarevska, kryetari i sindikatës Vase Nedanovski dhe pajtuesi Ilija Manasiev sot mbajtën një konferencë për mediat ku informuan për marrëveshjen e arritur.

“Duke marrë parasysh kategoritë e ndryshme të punësuarve në DAP, rreth 160 punëtorë tashmë e kanë përdorur atë të drejtë në përputhje me ligjin për buxhetin. Tani pjesa tjetër e mbetur ka të drejtë ta përdorë këtë të drejtë, të mëparshëm ishin rreth 150-160 punëtor dhe të mbetur janë 900 e diçka.”, tha kryetari i sindikatës së DAP “Solidarnost”, Nedanovski, i cili i udhëheq protestat për paga më të larta.

I pyetur nëse punonjësit e Drejtorisë së të  Ardhurave Publike do të marrin 10 përqind shtesë nga paga nga shtatori, sipas marrëveshjes së përgjithshme kolektive të nënshkruar së fundmi, Nedanovski tha se kanë të drejtë në gjithçka që u takon me ligj.

Me rritjen e pagave, e cila nuk ka ndodhur në 14 vitet e fundit, tha kryetari i sindikatës në DAP, punonjësit do të motivohen më shumë për një qasje edhe më profesionale në kryerjen e detyrave të punës.

Buxheti për rritjen e pagave të punonjësve të DAP do të jetë 16,5 milionë denarë në muaj (rreth 270.000 euro).

Një pjesë e parave të planifikuara për pagesën e rrogave, janë nga llogaria buxhetore e DAP-it, informoi Marina Joleska nga Departamenti i Çështjeve Financiare në drejtorinë, duke shtuar se DAP ka të hyra të veta që i merr në baza të ndryshme si organ tatimor, që siç tha ajo është rrethanë lehtësuese në të gjithë situatën.

Ilija Manasiev, nga ana tjetër, i cili kishte rolin e pajtuesit mes sindikatës dhe menaxhmentit të DAP-it, në konferencën për media shprehu kënaqësi për suksesin e arritur në këtë proces, duke thënë se kanë shkruar histori për një të ardhme më të mirë të punonjësve të Drejtorisë për të Ardhura Publike.

Punonjësit e Drejtorisë për të Ardhura Publike që nga data 15 qershor janë në grevë, çdo ditë nga ora 10 deri në 12 pasdite, pa i kryer obligimet e vendit të punës. Ata kërkuan rritje të pagave për 30 për qind dhe nëse nuk plotësohej kërkesa e tyre, paralajmëruan aktivizimin e vendimit për grevë të përgjithshme.

Vendimi i grevës së përgjithshme do të hynte në fuqi më 27 qershor, por u shty për shkak të emërimit të një pajtuesi të ri në proces.