RMV, mbledhje koordinuese e Prokurorisë Publike dhe KShPK-së për monitorim efikas të zgjedhjeve

Në prag të zgjedhjeve të dyfishta, përfaqësuesit e Prokurorisë Publike dhe Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK) kanë mbajtur dje takim pune me qëllim të koordinimit efikas të proceseve zgjedhore, transmeton Portalb.mk.

Në takim, siç njoftoi Prokuroria, u diskutua për kompetencat e dy institucioneve në drejtim të veprimit efikas të tyre për të garantuar një proces zgjedhor të drejtë dhe paqësor, si dhe për të sanksionuar të gjithë ata që do të tentonin ta shkelin atë. .

Në takim morën pjesë prokurori Xhelal Bajrami, i cili është edhe kryetar i Komisionit për Monitorimin e Parregullsive dhe Krimeve të Mundshme lidhur me Zgjedhjet në Prokurorinë Publike, përfaqësues të tjerë të Prokurorisë si dhe përfaqësues të Komisionit Kundër Korrupsionit dhe kryetarja Tatjana Dimitrovska.

“Prokurori publik Bajrami ka sqaruar përbërjen dhe mënyrën e funksionimit të Komisionit për Monitorimin e parregullsive dhe krimeve të mundshme lidhur me zgjedhjet i themeluar në Prokurori, dinamikën e trajtimit të rasteve lidhur me parregullsitë zgjedhore dhe mënyrën e monitorimit të rasteve të formuara pas denoncimeve të pranuara në adresën e posaçme elektronike për denoncim: [email protected]”, njofton Prokuroria.

Kryetarja e Komisionit Kundër Korrupsionit, Tatjana Dimitrovska, prezantoi aktivitetet e iniciuara nga KShPK-ja në periudhën parazgjedhore dhe bazën e themeluar të të dhënave të automjeteve zyrtare të përdorura nga institucionet si aktivitet i parë për monitorimin e përdorimit të tyre në periudhën parazgjedhore.

Në njoftimin e Prokurorisë shtohet se Prokurorua dhe KShPK-ja do të mbajnë komunikim dhe koordinim të drejtpërdrejtë në trajtimin e të gjitha raportimeve për parregullsi zgjedhore.

Raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale do të mbahet më 24 prill, ndërsa raundi i dytë më 8 maj, së bashku me zgjedhjet parlamentare. Fushata për zgjedhjet presidenciale do të fillojë më 4 prill dhe zgjat deri më 22 prill, kur edhe fillon heshtja që zgjat deri më 24 prill. Fushata për zgjedhjet parlamentare do të fillojë më 18 prill dhe do të zgjasë deri më 6 maj.