Ali Ahmeti zyrtarizoi koalicionin e Frontit Evropian me kryetarin e Lëvizjes Populli, Skender Rexhepi-Zejd

Në konferencë për media të mbajtur sot, lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, zyrtarizoi koalicionin e Frontit Evropian me kryetarin e Lëvizjes Populli, Skender Rexhepi-Zejd. Ahmeti tha se Rexhepi ka përkrahur politikat e tyre dhe nuk ka kundërshtuar vendimet e pushtetit, përfshirë këtu edhe kryeministrin shqiptar. Ahmeti në pyetjet e gazetarëve tha se po bisedojnë prej kohësh edhe me parti të tjera, që t’i bashkëngjiten këtij fronti, transmeton Portalb.mk.

“Është një proces që është hapur prej kohësh. Besojmë që do të vazhdojmë ditëve në vijim. Jemi duke bisedur me të gjithë, edhe me Aleancën edhe me z. Thaçin, edhe me partitë turke, boshnjake që t’i bashkëngjiten këtij fronti”, tha Ahmeti.

Ahmeti tha se ata po bëjnë përpjekje maksimale drejt anëtarësimit të vendit tonë në Bashkimin Evropian, sepse është alternativë e vetme.

“Si mund të ndalim pakësimin e njerëzve tanë duke ikur, ky rrallim mund të ndalet vetëm duke anëtarësuar vendin në BE, ashtu siç kanë bërë shtetet që sot eterojnë në BE dhe njerëzit e tyre kthehen përsëri në vatrat e të parëve të tyre. Pse duam të jemi pjesë e BE-së sepse jo vetëm vendi jonë por edhe Ballkani ka nevojë për më shumë paqe dhe stabilitet, për më shumë ardhmëri sepse të gjitha këto që ndodhin rreth nesh e larg nesh, kanë një emërim ajo quhet Rusi dhe ne jo rastësisht jemi dakorduar edhe me Skender Rexhepin, po Evropës, jo Rusisë”, tha Ahmeti.

Ai shtoi se Rusia nuk është kafshatë që duhet nënçmuar, sepse ajo ka hyrë në vendin tonë, ka themeluar parti në vendin tonë, ka themeluar mediume në vendin tonë që duan ta thyejnë rrugën e përcaktuar me Ballkan të paqtë dhe dhe të aderuar në NATO dhe në BE.

Në Maqedoni ka parti te krijuara nga Aleksandër Dugin, që është koka e politikave ruse, dhe ju këtë mirë e dini. Ka televizione dhe media. Rusisë nuk i konvenon paqja dhe stabiliteti në Maqedoni dhe Ballkan. Rusia dëshiron të ketë vatra zjarri gjithkund për të arsyetuar okupimin që ia ka bë një vendi sovran siç është Ukraina.” tha Ahmeti.

“Skenderi nuk ka kundërshtuar asnjë veprim, e vendim, por ka qenë në proces në lidhje të ngushtë si për kryeministër si për zhvillimet e tjera. Me rëndësi është njerëzit t’i bindim që ardhmëria këtu është te ky front te këta njerëz që e kanë përcaktimin me zemër e jo me fjalë”, tha Ahmeti.

Ndërkohë Zejd-Rexhepi e konsideroi këtë si ditë historike, pasi siç tha, po hapet një kapitull i ri, i cili sipas tij do të mbahet mend gjatë kohë në historinë tonë.

“Ky front evropian do të jetë bartës i ndryshimeve, i përmirësimit të jetës, standardeve tona. Ky Front evropian do të jetë një sihariq i mirë, se megjithatë, ne, shoqëria jonë, ne përgjithësi, pa dallime etnike do të jetë në një rrugëtim të mirë dhe padyshim në rrugëtimin evropian, atë që e kemi zgjedhur. Ky front është një nismë e cila  do të jetë me këmbë të mbarë, që do të dëshmojë që ne i kemi synimet, punë dhe vepra afatgjate. Ky front përbëhet nga dy subjekt, BDI, i cili qeveris prej 20 vitesh dhe një subjekt që në esencë duket i vogël, por Lëvizja populli do të jet një sihariq shumë i madh”, tha Rexhepi.

Raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale do të mbahet më 24 prill, ndërsa raundi i dytë më 8 maj, së bashku me zgjedhjet parlamentare. Fushata për zgjedhjet presidenciale do të fillojë më 4 prill dhe zgjat deri më 22 prill, kur edhe fillon heshtja që zgjat deri më 24 prill. Fushata për zgjedhjet parlamentare do të fillojë më 18 prill dhe do të zgjasë deri më 6 maj.