HERA, OSBE dhe KSHZ: Dezinformimi gjinor kërcënon pjesëmarrjen e grave në zgjedhje dhe kredibilitetin e tyre

Shifrat nga hulumtimet tregojnë se gratë dhe burrat nuk kanë qasje të barabartë në institucione dhe në politikë, veçanërisht kur bëhet fjalë për pozita që marrin vendime ose përcaktojnë politika. Në zgjedhjet lokale të vitit 2025, vetëm 4 nga gjithsej 81 pozitat e kryetarëve të komunave i drejtojnë gra. Në Qeverinë e formuar në vitin 2024, vetëm 3 nga 20 ministrat e dikastereve janë gra. Ngjashëm është edhe në arsim: megjithëse gratë përbëjnë 58,6 përqind të kuadrit në arsimin e mesëm, vetëm 10,8 përqind të pozitave me kompetencë vendimmarrëse, siç janë ato të drejtorëve, i mbajnë gratë, transmeton Portalb.mk.

Në të njëjtën kohë, me rritjen e përdorimit të rrjeteve sociale të parregulluara, gratë në zgjedhje, në jetën publike dhe në politikë po ekspozohen gjithnjë e më shpesh ndaj shënjestrimit seksist, fushatave dhe narrativave që i paraqesin si bartëse të “vlerave të huaja” ose të “ndikimit perëndimor”. Ky shënjestrim përmes dezinformatave gjinore nuk është thjesht një seri sulmesh personale të izoluara, por pjesë e strategjive më të gjera që përdorin çështjet gjinore për thellimin e ndarjeve, minimin e besimit në institucione dhe kufizimin e pjesëmarrjes demokratike.

“Debati publik për një kandidate ose bartëse të një funksioni publik reduktohet në pamjen e saj, moralin ose lojalitetin e supozuar, në vend që të fokusohet te qëndrimet dhe puna e saj. Kështu rritet çmimi që gratë paguajnë për të hyrë dhe qëndruar në politikë, ngushtohet zgjedhja e qytetarëve dhe cenohet besimi në procesin zgjedhor. Prandaj, dezinformatat gjinore duhet t’i trajtojmë si çështje të qëndrueshmërisë demokratike dhe integritetit zgjedhor”, theksoi Dragana Karovska Çemerska, përfaqësuese e HERA-s.

Tërheqja e fundit e programit mësimor dhe lëndës zgjedhore Edukimi seksual gjithëpërfshirës nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës e tregon më tej nevojën që institucionet të zhvillojnë qëndrueshmëri ndaj presioneve të organizuara përmes narrativave dezinformuese dhe të marrin vendime të pavarura e të përgjegjshme, të bazuara në dëshmi, ekspertizë, të drejta të njeriut dhe interes publik. Për më tepër, ato duhet të kenë mekanizma që do të shqyrtojnë lidhjen e mundshme me operacione më të gjera të ndikimeve të dëmshme vendore dhe të huaja.

HERA thekson se dimensioni gjinor duhet të bëhet pjesë përbërëse e vlerësimit të rreziqeve për procesin zgjedhor. Nevojitet metodologji për monitorimin e dezinformatave gjinore që do të përfshijë të gjithë ciklin zgjedhor dhe jo vetëm periudhën e fushatës. Nevojiten kapacitete të forcuara të organeve mbikëqyrëse dhe mbrojtje në kohë e kandidateve dhe bartëseve të funksioneve publike nga sulmet dhe fushatat e koordinuara.

Institucionet, mediat, shoqëria civile dhe partnerët ndërkombëtarë duhet të vendosin një mekanizëm të harmonizuar për identifikimin, referimin dhe reagimin ndaj këtyre rreziqeve. Monitorimi duhet të përfshijë edhe pasojat e tyre të mundshme: tërheqjen e kandidaturave, ndërprerjen e mandateve, vetëcensurën dhe gatishmërinë e zvogëluar të grave për të marrë pjesë në jetën publike dhe politike.