RMV, Kuvendi nuk do të ketë aktivitete gjatë fushatës zgjedhore për të parandaluar keqpërdorimet e mundshme të foltores

Kuvendi do të ketë aktivitete deri në fund të marsit, duke pasur parasysh se fushata për zgjedhjet presidenciale fillon më 4 prill dhe më pas do të vijojë fushata për deputetë për zgjedhjet e 24 prillit dhe 8 majit, transmeton Portalb.mk.

Në mbledhjen e sotme koordinuese në Kuvend, kryeparlamentari Jovan Mitreski, siç informojnë nga kabineti i tij, ka bërë të ditur se në bazë të rregullës së pashkruar, Kuvendi gjatë fushatës zgjedhore nuk do të ketë asnjë aktivitet për të parandaluar keqpërdorimin e mundshëm të foltores.

Siç theksojnë ata, Kuvendi do të ketë aktivitete deri në fund të muajit mars.

Në takimin me deputetët e parë të grupeve parlamentare janë shqyrtuar ligjet që janë në proces dhe për të cilat do të ketë kushte që në lexim të dytë të shqyrtohen në seancën që do të mbahet javën e ardhshme.

Seanca pritet të mbahet më 27 ose 28 mars. U diskutua edhe për disa zgjidhje ligjore që janë në proces dhe për të cilat nevojitet një koordinim shtesë ndërmjet grupeve parlamentare.

Në takimin koordinues nuk ka marrë pjesë asnjë përfaqësues i VMRO DPMNE-së.

Kujtojmë se  qytetarët kanë edhe sot kohë për të kontrolluar listën zgjedhore. Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve para disa ditësh iu bëri thirrje qytetarëve që për zgjedhjet e ardhshme presidenciale dhe parlamentare të bëjnë vetëkontroll dhe nëse është e nevojshme të kërkojnë ndryshimin, futjen ose fshirjen e të dhënave të tyre nga Lista zgjedhore për zgjedhjet e ardhshme presidenciale dhe parlamentare.

Raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale do të mbahet më 24 prill, ndërsa raundi i dytë më 8 maj, së bashku me zgjedhjet parlamentare. Fushata për zgjedhjet presidenciale do të fillojë më 4 prill dhe zgjat deri më 22 prill, kur edhe fillon heshtja që zgjat deri më 24 prill. Fushata për zgjedhjet parlamentare do të fillojë më 18 prill dhe do të zgjasë deri më 6 maj.