RMV nuk dënon spastrimin e dhunshëm, nuk votoi kundër rezolutave për paligjshmërinë e praktikave koloniale izraelite në Palestinë
Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara ka miratuar me shumicë dërrmuese një rezolutë të rëndësishme që mbështet Deklaratën e Nju Jorkut, një dokument i ri diplomatik që synon zgjidhjen me dy shtete të konfliktit izraelito-palestinez përmes hapave konkretë, të pakthyeshëm dhe të kufizuar në kohë. Ajo që bie në sy është sërish se Maqedonia e Veriut nuk mbështet atë, por abstenoi, shrkuan Portalb.mk.
Rezoluta u miratua me 142 vota pro, 10 kundër dhe 12 abstenime, duke reflektuar një konsensus të gjerë ndërkombëtar. Mbështetje për dokumentin dhanë vende si Rusia, Kina, Mbretëria e Bashkuar, Franca, dhe shumë të tjera. Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara, Izraeli, Hungaria, Argjentina, Palau, Nauru, Mikronezia, Papua Guinea e Re, Paraguai dhe Tonga votuan kundër.
Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria dhanë votën e përmbajtur.
Deklarata bën thirrje për një armëpushim të menjëhershëm në Gaza, lirimin e pengjeve, shkëmbimin e të burgosurve, tërheqjen izraelite, si dhe akses të plotë për ndihmën humanitare. Ajo riafirmon parimin se Gaza dhe Bregu Perëndimor duhet të ribashkohen nën një administratë të vetme palestineze, të drejtuar nga Autoriteti Palestinez në përputhje me parimin “një shtet, një qeveri, një ligj, një armë.”
Dokumenti i miratuar synon krijimin e një Shteti Palestinez të pavarur, sovran dhe demokratik, brenda kufijve të vitit 1967, që të bashkëjetojë në paqe dhe siguri pranë Izraelit. Ai kundërshton në mënyrë të qartë pushtimin, zhvendosjen e detyruar, dhe ndryshimet e paligjshme territoriale apo demografike.
Rezoluta përfshin gjithashtu mbështetje për reforma të thella brenda Autoritetit Palestinez, si dhe mundësinë për krijimin e një misioni ndërkombëtar të përkohshëm për të mbrojtur civilët palestinezë dhe për të ndihmuar në monitorimin e zbatimit të marrëveshjes.
Kujtojmë se nuk është hera e parë që RMV nuk mbështet armëpushimin.