Rroga nuk është privilegj, por e drejtë e garantuar me kushtetutë – u shprehën inspektorët e Inspektoratit për përdorimin e gjuhëve, të cilët tashmë gjashtë muaj nuk kanë marrë paga. Ata kërkojnë nga qeveria ta zgjidhin problemin dhe t’u kompensohen pagat e prapambetura, raporton TV21.
“Përveç kësaj kemi mbetur edhe pa sigurim shëndetësor dhe pensional, që e keqëson sigurinë tonë dhe të familjeve tona. Kjo gjendje na shpie në një pasiguri sociale, në luftë ekzistenciale si dhe në zhvlerësim absolut të punës dhe dinjitetit të nëpunësit. Ne jemi njerëz të cilët çdo ditë punojmë, japim rezultate si dhe lëvizim sistemin përpara”, tha inspektori Fitim Ramadani, i cili shtoi se prej muajit mars nuk kane kushte për punë, plan inspektimi dhe punë, edhe pse çdo ditë dalin në punë
Në inspektorat të punësuar janë 17 inspektorë, të cilët shprehën pakënaqësinë dhe thanë se u kanë dërguar letra zyrtare të gjitha institucioneve relevante por nuk kanë marrë përgjigje. Ata u ankuan edhe për mungesë të kushteve për punë, ku thanë se nuk kanë automjete për në terren dhe shfrytëzojnë makinat private.
Në vitin 2024, hyri në fuqi një ndryshim në Ligjin për Mbikëqyrje Inspektuese, i cili ndryshoi statusin e Inspektoratit për Përdorimin e Gjuhëve. Më pare ishte institucion më vete, me status juridik të pavarur, me buxhet të vetin dhe kompetenca të plota për të vepruar, e tani është pjesë e Ministrisë së Drejtësisë. Ndryshimet ligjore me të cilat, parashikohet heqja e statusit juridik të Inspektoratit kanë ngecur në Kuvend, pas kalimit të filtrit të komisioneve. Arsyeja, është se shumica parlamentare nuk ka Badenter.