ANALIZË: Ekonomia në vitin zgjedhor 2024, rritje e ngadaltë ekonomike, inflacion njëshifror, shpenzime populiste buxhetore

2024 fillon me rreziqe të bartura nga viti 2023 – beteja me inflacionin vazhdon. Rritja ekonomike është sërish në rrezik si nga faktorët e brendshëm ashtu edhe nga ata të jashtëm. Zgjedhjet pothuajse të sigurta “të dyfishta” do të ndikojnë edhe në mjedisin ekonomik – shteti do “derdhë” para, biznesi do të presë me përmbajtje rezultatin politik paszgjedhor, shkruan analiza javore ekonomike e Portalb.mk.

Rreziqet dhe problemet e vjetra në vitin e ri 2024…

Presioni i inflacionit do të “zbutet”, por lufta me rritjen e çmimeve do të vazhdojë – vlerësojnë analistët ekonomikë. Analizat e institucioneve kompetente tregojnë se inflacioni këtë vit do të “frenohet” në një përqindje  njëshifrore, sipas Qeverisë do të jetë 2,5%, ndërsa sipas BPM-së mes 3,5% dhe 4%. Por, nga ana tjetër, rritja e PBB-së do të jetë sërish në pikëpyetje.

Analiza ekonomike, ekonomi, euro, denare
Foto ilustrim: Suad Bajrami

“Sa i përket vitit 2024, nuk pres kush e di se çfarë ndryshimi për të mirë, megjithëse sipas të gjitha njoftimeve do të ketë ulje të inflacionit dhe stabilizim të rritjes, e cila do të vazhdojë të jetë e ulët, ndërsa financat publike do të jenë nen presion. Sigurisht që shumë nga këto gjëra do të varen edhe nga ajo që po ndodh në botë, sepse ne jemi ekonomi e hapur”, thotë gazetari ekonomik Mirçe Jovanovski.

Zakonisht pas viteve të vështira ekonomike me rezultate modeste, në vitet në vijim vijnë rezultate më të mira ekonomike. Këtë herë nuk kemi shumë arsye të presim që kjo të ndodhë në vitin 2024 – konsideron profesori universitar, Nikolla Popovski.

“Ekonomia ndërkombëtare, e nëse doni mund të themi edhe mjedisi politik, i sigurisë dhe gjeopolitik, nuk do të përmirësohet shpejt. Ai do të vazhdojë të jetë i rënduar me rritje të ulët, me nivel qetësues të inflacionit, por të vazhdueshëm dhe edhe më tej mbi nivelin e dëshiruar me përqindje rezistente të larta të kamatave, me zinxhirë furnizimi gjysmë të ndërprerë, me proteksionizëm ekonomik dhe izolacionizëm të detyruar në formën e rajonalizmave të ndryshëm, mungesë të energjisë, tepricë të fuqisë punëtore nga njëra anë dhe mungesë të saj në pjesë të tjera të botës, si dhe me krizat ekzistuese dhe potenciale të emigrantëve, luftëra, mirëkuptim të pamjaftueshëm të ndërsjellë dhe probleme të tjera”, thotë Popovski dhe shton:

“Në këto kushte, nuk duhet pritur shumë nga ekonomia në Maqedoni, ndoshta as aq. Rritja e ulët, lufta me inflacionin, problemet me ofertën e punëve të mira dhe të paguara mirë dhe deficitet e ndryshme do të mbeten përditshmëria jonë.”

Pasiguri ekonomike për shkak të zgjedhjeve të “dyfishta” – “helikopterët partiakë” tashmë kanë fluturuar dhe po derdhin mjaltë e qumësht

Qeveria do të shpenzojë në mënyrë “ekstravagante”, reformat do të ngecin, paratë e buxhetit do të përfundojnë për populizëm, bizneset do të presë me përmbajtje rezultatin politik të zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale. Kjo është tabloja e zakonshme ekonomike në çdo cikël zgjedhor.

“Siç na tregon përvoja në Maqedoninë e pavarur, vitet zgjedhore nuk janë mjedis i favorshëm për zbatimin e reformave ekonomike. Pres lëvizje dhe premtime edhe më të forta populiste, të cilat do t’u ofrohen votuesve në mënyrë jokritike dhe në këtë mënyrë do të rrisin pritshmëritë e tyre. Jemi dëshmitarë se “helikopterët e partiakë” tashmë kanë fluturuar dhe po derdhin mjaltë e qumësht. Gjithashtu, mendoj se buxheti për vitin 2024 do të ketë një kohëzgjatje të kufizuar, maksimumi deri në fund të verës, sepse do t’i duhet t’u përgjigjet premtimeve parazgjedhore, pavarësisht se kush do ta fitojë besimin për të formuar qeverinë”, thotë gazetari Jovanovski.

Në muajin e parë të vitit duhet të kemi qeveri teknike, Parlamenti do të shpërbëhet, pastaj do të vijojë fushata, pastaj negociatat paszgjedhore për formimin e qeverisës së re – e gjithë kjo do të ndikojë ndjeshëm në mjedisin ekonomik, konsideron profesor Popovski.

Dimitar Kovaçevski - Hristijan Mickoski, foto: VMRO-DPMNE
Dimitar Kovaçevski – Hristijan Mickoski, foto: VMRO-DPMNE

“Dukesh pasur parasysh zgjedhjet e ardhshme që do të na sjellin një qeveri teknike (lexo: një qeveri politikisht impotente) e cila ka mundësi të qëndrojë për rreth 6-8 muaj, një Kuvend që do të jetë i shpërbërë dhe nuk do të mund të mbajë seancë për rreth 5 muaj dhe 2-3 muaj të tjerë do të merret me konstituimin e vet, gjegjësisht për një periudhë më të gjatë kohore nuk do të mund të merret me veprimtarinë e tij themelore – legjislative, pritjet nuk duhet të jenë shumë të larta. Ne duhet të presim që në vitin 2024 mund të bëhen vetëm disa supozime, nëse gjithçka tjetër është në rregull, e në vitin 2025 dhe më tej të hyjmë në një fazë graduale të rimëkëmbjes më të mirë dhe afatgjatë të ekonomisë dhe stabilizimit të tendencave të rënies reale të standardit të jetesës. Në këtë, sfida të veçanta do të jenë niveli i rritjes ekonomike, rikuperimi i standardit të jetesës, ulja e inflacionit për disa për qind dhe ulja e papunësisë, deficitet fiskale dhe të jashtme, përqindjet e kamatave, e më pas edhe ndryshimet institucionale dhe strukturore. E gjithë kjo na tregon se kemi një rrugë të gjatë dhe të mundimshme për rimëkëmbjen ekonomike”, thotë profesor Popovski për Portalb-in.

Bashkëbiseduesit tanë përmbledhin se edhe viti 2024, nën ndikimin e rreziqeve të jashtme dhe të brendshme dhe pa fillimin e negociatave për anëtarësim në BE, do të jetë i vështirë për qytetarët.

“Në përgjithësi, viti 2024 nuk do të jetë i lehtë, e mund të komplikohet edhe më shumë nëse ngërçi në integrimet evropiane vazhdon”, thotë Jovanovski.