Që nga fillimi i fushatës së vaksinimit, në RMV janë regjistruar gjithsej 66.821 qytetarë dhe janë vaksinuar 3.266

Që nga fillimi i fushatës së vaksinimit, më 14 tetor, janë regjistruar gjithsej 66.821 qytetarë, me një mesatare prej 4.455 aplikimesh në ditë. Pjesën më të madhe të aplikuesve e përbëjnë personat mbi 65 vjeç, të ndjekur nga personat me sëmundje kronike. Numri më i madh i aplikimeve është regjistruar në Shkup (19.767), Manastir (4.845), Prilep (3.844), Strumicë (3.585) dhe Tetovë (3.581), transmeton Portalb.mk.

Deri më tani janë caktuar 6.710 termine për vaksinim, ndërsa janë vaksinuar 3.266 qytetarë. Gjatë tri ditëve të fundit të punës janë vaksinuar rreth 1.000 qytetarë në ditë. Shkalla e realizimit të termineve të kaluara është 86,7%, ndërsa 503 qytetarë (13,3%) nuk janë paraqitur në terminin e caktuar.

“U bëjmë thirrje qytetarëve që nuk kanë mundësi të paraqiten në kohën e caktuar, ta anulojnë terminin, në mënyrë që ai t’i caktohet një qytetari tjetër të regjistruar për vaksinim. Sot do të fillojë caktimi i termineve për një grup të ri qytetarësh, me ç’rast ritmi i vaksinimit pritet të rritet në rreth 1.700 vaksinime në ditë”, thonë nga Ministria e Shëndetësisë.

Sot është lidhur kontratë për sigurimin e 26.000 vaksinave shtesë nga prodhuesi Sanofi, të cilat pritet të mbërrijnë deri më 15 nëntor. Kështu, numri i përgjithshëm i vaksinave të siguruara deri më tani arrin në 56.000, ndërsa janë paralajmëruar edhe 30.000 vaksina të tjera deri në fund të nëntorit. Në këtë mënyrë, do të sigurohen gjithsej 86.000 vaksina, numri më i madh deri më tani, rreth 20.000 më shumë se numri i qytetarëve të regjistruar aktualisht për vaksinim.

“Sezoni i gripit është më i theksuar gjatë muajve janar dhe shkurt. Vaksinimi i kryer deri në javën e parë të janarit siguron mbrojtje në kohën e duhur. Sllovenia dhe Kroacia do ta fillojnë vaksinimin në nëntor, çka dëshmon se nuk është vonë. Ka vaksina të mjaftueshme për të gjithë qytetarët e regjistruar, ndaj u bëj thirrje qytetarëve të kenë durim – secili do të njoftohet për terminin e vaksinimit. Gjithashtu, që nga kjo javë ekipet e shtëpive shëndetësore po vaksinojnë në shtëpitë për të moshuarit, ndërsa nga java e ardhshme edhe në qendrat e dializës”, deklaroi ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski.