RMV, dy persona humbën jetën dhe shtatë të tjerë u lënduan në një aksident komunikacioni

Prokurori publik nga PTHP Koçani ka kryer kontrolle në vendin e ngjarjes në rrugën Shtip – Koçani, në afërsi të kyçjes kah Çeshina, ku ka ndodhur aksidenti i komunikacionit ku kanë humbur jetën dy persona, ndërsa u lënduan shtatë të tjerë, transmeton Portalb.mk.

“Janë dhënë disa urdhra për konfirmimin e shkaqeve të aksidentit. Në kontroll kanë marrë pjesë edhe persona të aftë nga fusha e komunikacionit, ndërsa sipas njoftimeve të para deri te fatkeqësia erdhi gjatë tejkalimit. U lëshua urdhër edhe për marrjen e gjurmëve nga vendi i ngjarjes, për obduksionin e trupave të vdekur, urdhra për kontrollimin e shembujve nga gjaku dhe urina e pjesëmarrësve në fatkeqësi, ndërsa do të bëhet edhe ekspertizë e komunikacionit-teknik”, njoftojnë nga Prokuroria Themelore.

Aksidenti ka ndodhur në ora 12:26, aty morën pjesë tri vetura – “Volkswagen Golf” me tabela të Koçanit, “Seat” me tabela të Shkupit dhe “Citroen” me tabela të Vinicës.

Shtatë të lënduarit në aksident janë dërguar në Spitalin e Përgjithshëm në Koçani.

Komunikacioni në rrugën ekspres Shtip – Koçani është ndërprerë. Punonjësit policorë e kanë orientuar në rrugën e vjetër rajonale.