Ferati do të jetë drejtori i ri i Spitalit Klinik në Tetovë

Ministri për Shëndetësisë në Maqedoninë e Veriut, Ilir Demiri, ka njoftuar që në kryer të Spitalit Klinik të Tetovës do të jetë drejtori Shpresim Ferati, trasnmeton Portalb.mk.

“Dr. Shpresim Ferati është drejtori i ri i Spitalit Klinik të Tetovës. Ferati është i dëshmuar në fushën e tij dhe plotëson kërkesat për pozicionin që kryen”, njoftoi Ministria e Shëndetësisë.

Ministri vlerësoi që me Feratin, spitali i Tetovës do të vazhdojë të shkruaj histori suksesi.

Ndryshe, ish-ministri i Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti, në korrik të vitit të kaluar ka emëruar Ilir Demirin për drejtor të ri të ISHP Spitalit Klinik Tetovë. Demiri me ndryshimet e fundit në Qeverinë teknik është emëruar ministër i shëndetësisë, për çka ka reaguar edhe nisma “Më mirë për Tetovën”.

“Tetova përsëri viktimë e përplasjeve politike! Edhe pse vetëm disa muaj në krye të Spitalit Klinik të Tetovës, angazhimi i drejtorit, Dr. Ilir Demiri, u mirëprit nga qytetarët e Tetovës, të cilët pas një kohe të gjatë vërejtën ndryshime thelbësore në një nga institucionet kryesore të qytetit. Në vend që të vazhdohet me punët në dobi të Tetovës, interesat e partive politike ndërhyjnë në këtë proces”, vlerësojnë nga kjo “Më mirë për Tetovën”.

Ndryshimi i ministrave nga Aleanca për Shqiptarët ndodhi pasi kreu i partisë Arben Taravari dhe kryetari i Kuvendit Qendror Ziadin Sela hynë në konflikt të hapur për koalicionin e mundshëm parazgjedhor me opozitën shqiptare. Sela mbetet në Qeveri, ndërsa Taravari i është bashkuar Lidhjes Evropiane për Ndryshim.