Maqedonia e Veriut ka nënshkruar Konventën për bashkëpunim ndërkombëtar në hetimin dhe ndjekjen e krimit kundër njerëzimit

Ministria për Drejtësi në Maqedoninë e Veriut ka njoftuar që ministri Krenar Lloga në Hagë ka nënshkruar Konventën për bashkëpunim ndërkombëtar në hetimin dhe ndjekjen e krimit të gjenocidit, krimeve kundër njerëzimit, krimeve të luftës dhe krimeve të tjera ndërkombëtare, transmeton Portalb.mk.

“Konventa synon  lehtësimin e bashkëpunimit ndërkombëtar në materien penale ndërmjet shteteve anëtare dhe të sigurojë bashkëpunim juridik ndërkombëtar efektiv, në hetimin dhe ndjekjen penale të këtyre krimeve. Konventa, si një instrument ndërkombëtar  jashtëzakonisht i rëndësishëm, paraqet mjet praktik që do t’i ndihmojë shtetet anëtare”, njoftoi Ministria.

Ministria vlerësoi që përmes kësaj Konvente që mbështetet nga 80-të vende, pritet të ulet mosndëshkimi i kryerësve të këtyre veprave penale.

“Konventa fokusohet në detyrimin e shteteve për të ndjekur penalisht këto vepra penale dhe në këtë kuptim adreson nevojën për të rritur efikasitetin e hetimeve dhe ndjekjeve penale në nivel kombëtar”, sqaroi Ministria.