RMV, dy pacientë me fibrozë cistike morën “Trikafta”, nesër do të marrin dy të tjerë

Dy pacientë me fibrozë cistike kanë marrë ilaçin Trikafta të premten, njoftoi ministri i Shëndetësisë Fatmir Mexhiti në profilin e tij në Facebook, transmeton Portalb.mk.

“Ata aktualisht ndodhen në Klinikën për Sëmundje të Fëmijëve dhe gjendja e tyre është stabile. Në vitin e ri pacientët me fibrozë cistike kanë një cilësi më të mirë jetese. Gjatë ditës së nesërme, Trikafta do të marrin edhe dy pacientë, ndërsa në periudhën në vijim terapisë gradualisht do t’i bashkohen edhe pacientë të tjerë”, shkroi Mexhiti.

Më 15 dhjetor Mexhiti bëri të ditur se ilaçin do ta marrin vetëm 12 pacientë, ndonëse me këtë sëmundje në vend jetojnë 130 persona.

Vitin e kaluar, para Vitit të Ri, të sëmurët me fibrozë cistike protestuan para Ministrisë së Shëndetësisë dhe kërkuan terapi modulare. Vetëm më 2 shkurt të këtij viti, Qeveria njoftoi se do të prokuronte ilaçin “Trikafta” për 30 pacientë, pra se prokurimi do të bëhej në disa faza. Sasitë e para të ilaçit kanë mbërritur më 9 mars. Në pritje të ilaçeve, më 8 shkurt vdiq Bllagojçe Ilievski, i cili nuk i ka marrë ilaçet.

Kur ndodhi kjo, ish-ministri i Shëndetësisë, Bekim Sali, në profilin e tij në Facebook shkroi se për blerjen e ilaçit janë siguruar 140 milionë denarë. Prindërit e fëmijëve me fibrozë cistike dhe të afërmit e tyre i bënë nderimet e Bllagojçes pas vdekjes së tij dhe protestuan para Qeverisë duke kërkuar që ilaçi të sigurohet menjëherë.

Në vend, rreth 130 persona jetojnë me fibrozë cistike. Ndërsa sëmundja përparon me kalimin e viteve, rritet edhe vdekshmëria. Ekziston një ilaç nga gjenerata e re e të ashtuquajturit terapi modulare, e cila është e shtrenjtë. Në vendin tonë jepet terapi më e vjetër që lehtëson simptomat, por nuk shëron sëmundjen.