Zjarri mbi Sellcën e Tetovës ende aktiv dhe rrezikon të arrijë në fshat, autoritetet nuk mundin ta shuajnë për shkak të terrenit (Video)

Zjarri i cili ka rënë para disa ditëve në Malin Sharr tani është shumë afër fshatit Sellcë të Tetovës në largësi prej rreth dy kilometrave. Për shkak të terrenit të vështirë, autoritetet deri më tani nuk kanë arritur ta shuajnë, ndërsa zjarrfikësit e Tetovës apelojnë që shteti t’i lëshojë helikopterët dhe avionët për shuarjen e zjarrit, shkruan Portalb.mk.

Zjarri mbi Sellcë siç informojnë autoritetet vazhdon të shpërndahet për shkak të terrenit malor.

Komandanti i Zjarrfikësve të Tetovës Avni Ahmeti theksoi se për ata në një terren të tillë është vështirë të futen.

“Bëjmë përpjekjet tona që të jemi në kryerje të detyrës. Duke pasur parasysh që ajo është një pjesë e cila mbulon Malin Sharr, Drejtoria për Menaxhim me Malin Sharr duhet të jetë në krye të detyrës dhe të menaxhojë me atë situatë, gjithashtu Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim, Drejtoria e Pyjeve. Për momentin në shuarjen e zjarrit janë aktivizuar Drejtoria për Menaxhim me Malin Sharr dhe Zjarrfikësit e Tetovës. Nuk kemi ekipe tjera nga drejtoritë tjera të cilat duhet të jenë aktiv në shuarjen e këtij zjarri në përmasa të mëdha”, tha Ahmeti.

Ai tha se deri tani është aktiv vetëm një helikopter për shuarjen e zjarrit ndërsa tha se “nga Qendra për Menaxhim me Kriza kanë kërkuar që të aktivizohen helikopterë dhe avionë që RMV-ja i posedon”.

“Qytetarët e Sellcës të jenë të sigurt se zjarrfikësit e Tetovës do jenë të parët në mbrojtjen e pronave dhe jetëve të tyre”, tha Ahmeti.

Nga ana tjetër, edhe nga Qendra për Menaxhim me Kriza kanë theksuar se zjarri është në terren vështirë që qasshëm dhe se digjen dhe se për shuarje ka ndërhyrë një helikopter i Ministrisë së Brendshme i cili ka hedhur ujë.

“Zjarri është ende aktiv dhe ka tendencë të përhapjes”, thanë nga Qendra për Menaxhim me Kriza.

Kurse nga Parku Kombëtar ‘Mali Sharr’ theksojnë se katër ditë shuarje nga shërbimi i rojeve të parkut kombëtar nuk kanë dhënë efekt.

“Për shkak të kushteve të pafavorshme atmosferike, presim që situata do të përkeqësohet edhe më tej. U bëjmë thirrje banorëve të fshatit Sellcë që të dalin dhe të mbrojnë pronat e tyre”, thanë nga PK ‘Mali Sharr’.

Derisa vazhdojnë përpjekjet për shuarjen e zjarrit, autoritetet apelojnë që mos zë ndizet zjarr në natyrë pasi të njëjtat për shkak të kushteve klimatike përhapen shpejtë dhe mund të rezultojnë në fatkeqësi. Shkak për zjarret në të shumtën e rasteve autoritetet thonë se është faktori njeri. Por, praktika ka dëshmuar se qytetarët nuk i dëgjojnë këto apele dhe se zjarret në natyrë dita ditës po shtohen.