Këshilli Komunal e miratoi fillimin me punë të çerdhes së re “Rilindja” në Tetovë, por hapja pritet të vonohet

Këshilltarët e Komunës së Tetovës sot njëzëri miratuan vendimin për fillimin me punë të objektit të çerdhes së re “Rilindja” e cila gjendet afër shkollës fillore “Kirili dhe Metodi”. Megjithatë, procedura mund të vonohet për shkak të periudhës parazgjedhore, raporton Portalb.mk.

Kryetari i Këshillit Komunal, Besar Durmishi theksoi se objekti do të parasheh diku rreth 154 fëmijë nga mosha 2 deri në 6 vjeçare, ndërsa menjëherë pas këtij vendimi drejtoresha do të nis procedurat duke respektuar normat dhe aktet ligjore që sa më parë të jetë në funksion ky objekt

“Në konsultim me drejtoreshën e çerdhes për fëmijë e bëmë që ajo të dorëzojë kërkesë në Këshill dhe ne të ja miratojmë që për 33 punësime të ketë mbulesë financiare nga ana e Komunës së Tetovës, pastaj pasi që e sigurojmë mbulesën financiare duhet që të dorëzon përsëri te Ministria për Punë dhe Politikë Sociale që ajo të jep pëlqim por fatkeqësisht ende nuk kemi marrë përgjigje pozitive”, tha Durmishi.

Drejtoresha e çerdhes “Rinia” në Tetovë ka theksuar se për të filluar me punë çerdhja e re, nevojiten së paku 30 punëtorë.

Ministri teknik i Punës dhe Politikës Sociale, Gjoko Velkovski me 5 mars 2023 në Tetovë te çerdhja “Rinia” foli për atë se pse ende nuk është hapur çerdhja e re.

“Nuk janë dhënë pëlqimet për punësim dhe prandaj sot kemi një objekt që po qëndron bosh vetëm për shkak të stafit. Askush nuk u interesua me kohë ta rregullonte këtë si problem. Ne, për fat të keq në këtë kohë të qeverisë teknike kur ligjet nuk na lejojnë të kemi qasje në marrëveshje për punësim, kemi një situatë ku banorët e Tetovës duhet të presin dy muajt e ardhshëm për ta hapur këtë objekt”, tha Velkovski me 5 mars.

Çerdhja “Rilindja” premtohet prej vitit 2019, kurse u ndërtua në prill të vitit 2023. Hapja e saj vonon që atëherë shkaku i pengesave dhe neglizhencës nga autoritetet e përfshira në këtë proces, për të cilat Portalb.mk ka raportuar në vazhdimësi.