RMV, dezinformatat për kidnapim fëmijësh, është arrestuar personi që ka sajuar ngjarjen

Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, gjatë inspektimit të ndërtimit të Stacionit të ri Policor në Aerodrom, është pyetur nëse ka denoncime për rrëmbime të fëmijëve. Ai ka theksuar se bëhet fjalë për dezinformim të plotë dhe ka shtuar se është arrestuar një person që ka sajuar ngjarjen, transmeton Portalb.mk.

“Me gjasë, me afrimin e vitit zgjedhor, fillojnë të thuren edhe histori të tilla. Po të shikosh historikisht, tre vjet më parë, në publik u shfaq kjo skemë, se gjoja shfaqeshin grupe, makina, furgona që rrëmbejnë fëmijët. Informacione të tilla, pra dezinformata, kanë dalë edhe dje, të cilat janë raportuar edhe nga mediat. Personi është ndaluar menjëherë, kërkojmë që për të të caktohet masa e paraburgimit sipas procedurës urgjente, sepse askush nuk duhet të luajë me qetësin qytetarëve. Personi sapo pranoi se e kishte e sajuar këtë ngjarje. Bëj apel që ne do të luftojmë fuqishëm kundër manipulimeve të tilla, pavarësisht nga natyra e tyre dhe nga kush vijnë. Qytetarët duhet të jenë të qetë në aspektin e sigurisë”, u shpreh Spasovski.

Me shpejtësinë e dritës, dy ditë më parë, në Facebook u përhap një lajm, sikur pesë persona të rrezikshëm, rrëmbejnë fëmijë. Për ta bërë dezinformatën më të besueshme, bashkëngjitur tekstit kishte edhe fotografi në të cilën pretendohej se janë pesë personat rrëmbyes të fëmijëve. Duke parë që informacioni i rremë po merrte dhenë, Ministria e Punëve të Brendshme doli me reagim dhe demantoi rastin.

Një pjesë e postimeve e kishin etiketuar në Facebook MPB-në, prandaj edhe kjo e fundit, pas verifikimeve ka dalë me demant, duke shtuar se bëhet fjalë për dezinformata të rrjeteve sociale që kanë për qëllim t’i frikësojnë qytetarët.

“Qytetarët të mos bien pre e dezinformatave, policia garanton sigurinë. Ministria e Brendshme mohon gënjeshtrat që disa persona përhapin përmes rrjeteve sociale për disa të dyshuar rrëmbyes. Nuk ka asnjë fëmijë të rrëmbyer, as ndonjë rrëmbyes. Apelojmë që të mos përhapet dezinformata në rrjetet sociale që synojnë t’i shqetësojnë qytetarët. Policia është e pranishme kudo dhe garanton sigurinë e qytetarëve”, thuhet në njoftim.