RMV, një burrë goditi me thikë partneren e tij, Prokuroria e ndjek për vrasje të mbetur në tentativë

Prokuroria Themelore Publike (PThP) Shkup ka iniciuar procedurë hetimore kundër një personi për veprën penale Vrasje nga neni 123 paragrafi 2 pika 2 në lidhje me nenin 19 (tentativë) të Kodit Penal, njofton PThP, transmeton Portalb.mk.

“Më 15 nëntor, i dyshuari ka tentuar t’i marrë jetën partneres jashtëmartesore duke ushtruar dhunë në familje. Pas një debati të shkurtër verbal, ai ka marrë një thikë me të cilën e ka kërcënuar se do ta vriste. Në atë moment, viktima së bashku me fëmijën, filluan të iknin në shtëpinë e prindërve të saj aty pranë, por i dyshuari e kapi para derës së hyrjes së shtëpisë së tyre dhe e goditi disa herë me thikë në shpinë dhe zonën e qafës”, thuhet në njoftimin e PThP.

Prokurori publik kompetent i ka dorëzuar gjyqtarit të procedurës paraprake nga Gjykata Themelore Penale Shkup propozim për caktimin e masës së paraburgimit për të dyshuarin, sepse ekzistojnë rrethana që tregojnë rrezikun e arratisjes, mundësinë e ndikimit te dëshmitarët dhe mundësinë e përsëritjes ose përfundimit të tentativës së krimit.