RMV, deputetët në largim – në minus me argumente, në plus në llogari

Përbërja parlamentare në largim nga qytetarët do të mbahet mend për përpjekjen dramatike dhe të pasuksesshme për ta ridefimuar shumicën, e dyta pas muajit dhjetor të vitit 2001, votimin e deputetëve me skafandra, bllokadën aktive dhe ligjet me procedurë të përshpejtuar me flamur të BE-së, qasjen e rreptë prej oficeri të kryeparlamentarit Talat Xhaferi, vuvuzelat, pjatat fluturuese dhe monitorin e thyer në Kuvend, si dhe për rritjen prej 78 përqind të pagave të deputetëve, shkruan Prizma, transmeton Portalb.mk.

“Nuk mund të krahasoni dy përbërje parlamentare. Është si në fjalën e urtë popullore – çdo mal ka peshën e vet”, kështu e ka komentuar për BIRN nënkryetari i Kuvendit, Goran Misovski dilemën se ku renditet kjo përbërje në historinë modeste parlamentare të Maqedonisë së pavarur.

Opozita, nëpërmjet komisioneve apo me amendamente, e ka bllokuar mesatarisht çdo të pestin ligj, mbi njëqind nga gjithsej 678 të dorëzuar, ndërsa qeveria më shumë se gjysmën e ligjeve të miratuara i ka miratuar me procedurë të shkurtuar.

Misovski është një nga deputetët më stazhin më të gjatë në parlament me gjashtë mandate në 18 vjet. Pikërisht nga aspekti i përvojës kjo përbërje parlamentare ishte mjaft specifike, sepse 95 nga gjithsej 120 deputetë ishin krejtësisht të rinj.

Por deputetët e rinj nuk dolën nga ai sistemi partiak dhe këtë e vërtetojnë statistikat zyrtare parlamentare.

(Opozita, nëpërmjet komisioneve apo me amendamente, e ka bllokuar mesatarisht çdo të pestin ligj, mbi njëqind nga gjithsej 678 të dorëzuar, ndërsa qeveria më shumë se gjysmën e ligjeve të miratuara i ka miratuar me procedurë të shkurtuar)

Destruktivitetin e kësaj dinamike parlamentare e theksoi edhe Evropa.

“Partia kryesore opozitare VMRO-DPMNE ka bllokuar në mënyrë aktive punën e Kuvendit, që është një pengesë e madhe… Përdorimi i procedurave të shkurtuara duhet të kufizohet. Ato nuk duhet të përdoren për ta kufizuar konsultimin me publikun…” thuhet në raportin e fundit të progresit e vendit në rrugën e tij drejt integrimeve evropiane.

Antagonizmi pati edhe shpërthime folklorike. Në sallën e kuvendit u dëgjuan edhe vuvuzela, instrumente frymore të Afrikës së Jugut.

Në verën e vitit 2022 në seancën për të ashtuquajturin propozim francez deputetët e VMRO-DPMNE-së u munduan t’i heshtin kolegët e tyre të shumicës me bori plastike. Atmosfera e tensionuar kulmoi në momentin kur deputeti i opozitës Jovan Jauleski në foltore e dogji tekstin e propozimit.

Argumente as për ilaç

Prandaj nuk është çudi që edhe gjatë këtij mandati që po përfundon debati i argumentuar ishte po aq i rrallë sa edhe shfaqja e kometës së Haleit. Ky përfundim pak sa cinik mund të nxirret nga raportet e Institutit joqeveritar për Demokraci Societas Civilis (IDSC) dhe nga statistikat që tregojnë se sa i kanë përdorur deputetët shërbimet hulumtuese të Institutit Parlamentar.

Në periudhën gjashtë mujore të analizuar, vetëm tetë persona kanë përdorur dy argumente gjatë fjalimit parlamentar, ndërsa vetëm dy herë ka ndodhur që dikush të përdorë më shumë argumente. Dhe këto janë përjashtimet. Fjalimet e tjera parlamentare ose kanë qenë krejtësisht boshe, ose nuk kanë përmbajtur asnjë argument (49 përqind), ose kanë ofruar shpjegime që nuk mund të konsiderohen si argument i plotë (44 përqind).

Të dhënat i referohen gjysmës së parë të vitit 2023, kur instituti ka analizuar më shumë se 2.000 fjalime në Kuvend, kryesisht të deputetëve. Në fakt, niveli i ulët i debatit është një veçori edhe e të gjithë mandatit dhe këtë e tregojnë raportet e tjera të sektorit joqeveritar.

(Në 89 përqind të diskutimeve të vëzhguara nuk janë përdorur fakte nga hulumtime, përvoja, dokumente dhe burime të tjera relevante)

Në debate pothuajse nuk janë përdorur fakte, por prandaj janë përdorur pjata dhe shishe. Në sallën e komisionit në vitin 2022 fluturuan pjata gjatë përleshjes mes Arbër Ademit të BDI-së dhe opozitës.

Përfaqësuesit e zgjedhur të popullit rrallë herë kanë vendosur që ta përdorin Institutin Parlamentar, i cili me kërkesën e tyre përgatit hulumtime për çështje të ndryshme.

Sa për ilustrim, vitin e kaluar vetëm 27 deputetë kanë kërkuar hulumtime nga Instituti Parlamentar, pra me iniciativën e tyre ky Institut ka realizuar 56 hulumtime, kryesisht analiza komparative me vendet e huaja, të cilat janë përdorur gjatë diskutimeve parlamentare.

Mungesa relative e interesimit të deputetëve reflektohet në (jo)cilësinë e debatit.

“Tek 89 përqind e diskutimeve të monitoruara nuk janë përdorur fakte nga hulumtimet, përvojat, dokumentet dhe burimet e tjera relevante si pjesë e arsyetimit për atë se pse deputetët e mbështesin apo nuk e mbështesin një akt të caktuar”, ka konstatuar IDSC, gjatë monitorimit të Kuvendin nga në periudhën janar-qershor të vitit 2023.

Analiza e përgjithshme e debatit parlamentar zakonisht çon në përfundimin se “nuk është vënë re ndryshim i qëndrimit te deputetët për shkak të argumenteve më të mira të bashkëbiseduesve”. Në një bisedë me BIRN vëzhguesit mundën të kujtonin vetëm një deputet që kishte ndryshuar qëndrimin e tij.

“Keni të drejtë, kërkoj falje, nuk ishte ide e mirë”, e ka pranuar deputetja kundërargumentin gjatë një nga komisionet në muajin gusht në vitin 2021.

Jo të pranishëm dhe më të pasur

Statistikat parlamentare për rregullshmërinë nxjerrin në pah se në secilin gjashtëmujor të këtij mandati mesatarisht ka pasur nga tridhjetë deputetë joaktiv. Ata nuk kanë dalë në foltore, nuk kanë kërkuar replikë, e as nuk kanë bërë vërejtje procedurale.

kuvendi
Kuvendi i Maqedonisë së Veriut, Foto: Portalb.mk

Misovski nuk e pranon karakterizimin “joaktiv”, sepse, siç argumenton ai, puna e deputetit nuk ka qenë vetëm në seancat plenare.

“Ekziston një rregull i pashkruar që nëse deputeti nuk flet në tre muajt e parë, nuk do të flasë as në tre vitet e ardhshme”, thotë nënkryetari i Kuvendit dhe shton se aktiviteti megjithatë është çështje individuale.

“Zakonisht ata joaktivët në zgjedhjet e ardhshme nuk janë më në lista”.

Ka përfaqësues të zgjedhur që më shpesh mungojnë se sa që janë të pranishëm në seanca. Një deputet nga njësia e parë zgjedhore ka munguar 88 herë me arsye, ndërsa ka qenë i pranishëm vetëm një herë në një seancë të vitit të kaluar në periudhën nga muaji korrik deri në dhjetor.

Një nga shembujt e njohur për publikun sa i përket mosprezencës është ai i deputetit Kastriot Rexhepi, i cili nuk u paraqit në seancën ku votohej për mosrrëzimin e qeverisë në nëntor të vitit 2021 dhe kështu i shuajti shpresat për një shumicë të re parlamentare me partinë e tij të atëhershme BESA dhe të pjesës tjetër të opozitës nën stafetën e VMRO – DPMNE-së.

(Një deputet nga njësia e parë zgjedhore ka munguar 88 herë me arsye, ndërsa ka qenë i pranishëm vetëm një herë në një seancë të vitit të kaluar në periudhën nga muaji korrik deri në dhjetor )

Deputetit i cili mungon të paktën tre herë radhazi, ndërsa për mungesën e tij nuk e ka njoftuar kryetarin e Kuvendit, i hiqen pesë përqind nga paga për çdo ditë që ka munguar, thuhet në Rregulloren e punës.

Por, siç konfirmoi edhe nënkryetari Misovski, gjatë këtij mandati nuk është shqiptuar asnjë dënim.

Deputetët i kanë arsyetuar mungesat e tyre dhe për këtë arsye nuk u është shkurtuar nga paga, e cila, nga ana tjetër, u rrit për 78 përqind në gjysmën e dytë të mandatit për shkak të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, që shkriu pagat e funksionerëve të zgjedhur dhe të emëruar.

Për rregullshmëri në pjesën më të madhe të mandatit, në stilin e tij të njohur, luftoi edhe kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi.

Ndonjëherë ai ishte jashtëzakonisht i rreptë edhe ndaj shumicës.

“Nëse është e nevojshme, do t’jua vizatoj se duhet të jeni të pranishëm në çdo seancë të re”, u tha ai në një rast.

Xhaferi shpeshherë dinte të ngjyroste jashtë linjave me interpretimet e tij kreative të rregullores dhe ligjeve, duke shkaktuar një reagim të ekzagjeruar tek opozita, si ai i Borisllav Krmovit, kur deputeti i partisë E majta e demoloi monitorin para kryetarit të Kuvendit.

Komisioni anketues, mbikëqyrja dhe interpelancat

Nga aspekti i funksionit të tij kontrollues, gjatë këtij mandati Kuvendi ka mbajtur një komision anketues dhe dy seanca mbikëqyrëse. Komisioni anketues është një kategori kushtetuese dhe konstatimet e tij janë bazë për përcaktimin e përgjegjësisë së zyrtarëve.

Komisioni anketues është mbajtur vetëm për rastin e njohur si “Onkologjia”, por deputetët e të dy taboreve nuk ranë dakord për një raport të përbashkët.

Gjithashtu janë mbajtur edhe dy seanca mbikëqyrëse, roli i të cilave është marrja e më shumë informacioni dhe mendime ekspertësh për zhvillimet aktuale.

Një nga ato seanca mbikëqyrëse ishte për falimentimin e Bankës Eurostandard, e cila nuk përfundoi dhe e dyta për personat pa dokumente personale, e cila mund të konsiderohet si e suksesshme sepse rezultoi me një ligj që duhet ta zgjidhë këtë problem.

Në katër vite, nga gjithsej 10 interpelanca, janë përfunduar vetëm tre, ndërsa në të njëjtën periudhë janë dorëzuar edhe rreth 1000 pyetje nga deputetët, por statistikat parlamentare për atë se sa pyetje janë përgjigjur kanë “ngecur” në vitin 2009.

Kuvendi këtë javë e përfundoi mandatin me 102 seanca të përfunduara dhe 47 të papërfunduara.