Gjithçka është e mundur këtu, thotë Ageler për mundësinë e ndryshimeve kushtetuese para zgjedhjes së qeverisë

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) në vend, Angela Ageler, beson se e ardhmja e vendit do të vendoset në zgjedhjet e ardhshme (parlamentare dhe presidenciale). Këtë e thotë Ageler në një intervistë për TV 21, në të cilën thekson se sinqerisht beson se kjo është një periudhë vendimtare për vendin, transmeton Portalb.mk.

“Kjo është një kohë interesante. Koha e ndryshimeve të mëdha. Ti e di që kam shërbyer këtu më parë. Tani kam gati një vit e gjysmë këtu (si ambasador). Unë sinqerisht besoj se kjo është një periudhë vendimtare për vendin. Zgjedhjet po vijnë. Ka probleme. Duhen diskutime të hapura që qytetarët të kuptojnë se cilat probleme ekzistojnë, cilat janë platformat e partive politike dhe të marrin vendime të rëndësishme. Besoj se e ardhmja e këtij vendi do të vendoset në shumë mënyra në këto zgjedhje”, thotë Ageler intervistën, e cila do të transmetohet e plotë sonte në orën 20:45.

E pyetur për të komentuar deklaratat që vijnë gjithnjë e më shumë nga partitë e shqiptarëve, qoftë nga pushteti apo opozita, se fillimisht duhet të miratohen ndryshimet kushtetuese dhe më pas të formohet qeveria pas zgjedhjeve dhe nëse kjo është e realizueshme. Ageler thotë se në të kaluarën ka pasur precedentë kur janë miratuar ndryshime gjatë një qeverie teknike.

“E kam dëgjuar këtë, kam dëgjuar disa opsione të ndryshme, se si do të ishte e mundur. Unë besoj. Besoj se ka pasur precedentë, nuk e kam fjalën për dekada më parë, por ka pasur precedentë ku janë miratuar ndryshime gjatë një qeverie teknike. Një nga gjërat që kam mësuar duke shërbyer këtu është se çdo gjë është e mundur”, thotë Ageler me buzëqeshje.

Ndryshe, miratimi i ndryshimeve kushtetuese, si domosdoshmëri për vazhdimin e procesit të integrimit evropian të vendit, është një nga shtyllat kryesore që deklarojnë paratë e shqiptarëve, si nga pushteti aktual ashtu edhe nga opozita.

Në anën tjetër, VMRO-DPMNE-ja, si dhe subjektet e tjera nga blloku politik maqedonas, qëndrojnë me vendosmëri në qëndrimin se nuk do të mbështesin ndryshimet kushtetuese nën diktimin bullgar, apo nëse bullgarët së bashku me kombet e tjera hyjnë në Preambulën e Kushtetutës, këto ndryshime do të hyjnë në fuqi në ditën kur vendi do të bëhet anëtar i plotë i Bashkimit Evropian.

Ndryshimet kushtetuese nënkuptojnë shtimin e bullgarëve dhe kombeve tjera në Kushtetutë. Kjo vjen si rezultat i asaj që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare. Megjithatë, negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese.