RMV, Avokati i Popullit me linjë telefonike falas për denoncimin e shkeljes së të drejtës së votës

Në zyrën e Avokatit të popullit, nesër e mërkurë – 24 prill 2024, nga ora 07:00 deri në ora 19:00, në ditën e mbajtjes së rrethit të parë për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, qytetarët do të mund të paraqesin çdo shkelje të së drejtës për votim në linjën telefonike falas 0800 54321, transmeton Portalb.mk.

Përveç në linjën telefonike falas, qytetarët do të mund të paraqesin shkeljen e të drejtës për votim edhe personalisht në zyrën qendrore në Shkup, e cila gjendet në rrugën “Maqedonia” nr. 19 në ndërtesën e SHT ,,Makoshped(përballë Shtëpi përkujtimore Nënë Terezës),

Gjithashtu, nesër, në ditën e zgjedhjeve do të ketë kujdestari edhe në Zyrat rajonale: Strumicë në numrin e telefonit (034) 329-996, Kërçovë në numrin e telefonit (045).228-586, Tetovë në numrin e telefonit (044) 344-082, Manastir në numrin e telefonit (047) 242-310, Shtip në numrin e telefonit (032) 389-701 dhe në Kumanovë në numrin e telefonit (031) 431-488.

“Avokati i popullit, me qëllim të mbrojtjes së të drejtës për votim të qytetarëve, do të marrë masa të menjëhershme për veprim efektiv nga organet kompetente në procesin zgjedhor dhe institucionet e tjera që janë të obliguara t’u sigurojnë mbrojtje qytetarëve në realizimin e të drejtës së tyre të garantuar për votim”, thuhet në njoftim.

Kujtojmë se kandidatët për kreun e shtetit dje kishin ditën e fundit për të promovuar fushatën e tyre për raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale. Sot është heshtje zgjedhore, e cila do të zgjasë deri nesër, më 24 prill deri në orën 19:00, pra deri në mbylljen e qendrave të votimit.

Raundi i dytë i zgjedhjeve presidenciale, i cili pritet të zhvillohet, do të përkojë me zgjedhjet parlamentare të 8 majit dhe kur votuesit të shkojnë në qendrat e votimit para se të marrin fletëvotimin, do të duhet të deklarojnë nëse do të votojnë për të dyja zgjedhjet ose jo. Nëse nuk duan të votojnë në asnjë prej zgjedhjeve, nuk do të mund të ndryshojnë mendje gjatë ditës dhe të kthehen sërish në qendrën e votimit dhe të votojnë.

Sot votojnë diaspora, të burgosurit, të moshuarit dhe të sëmurët dhe të pafuqishmit. Votimi për president ka nisur me anëtarët e këshillave zgjedhorë që kanë udhëtuar për të zhvilluar votimin në diasporë. Në Listën zgjedhore janë shënuar 191 votues, të cilët duhet të votojnë në diasporë.