RMV, AUV ka shtuar kontrollet inspektuese të ushqimit, në shënjestër pakot e Vitit të Ri

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka njoftuar se shërbimet e saj inspektuese po kryejnë kontrolle të zgjeruara për operatorët e ushqimit në prag të festave të fund vitit, transmeton Portalb.mk.

Kontrollohet nëse dhe në çfarë mase janë plotësuar kushtet e përgjithshme dhe të nevojshme për sigurinë e ushqimit, etiketimin dhe mbrojtjen e konsumatorit nga mashtrimi.

Në këtë periudhë, sipas AUV-së, theksi me kontrolle vihet tek pakot e Vitit të Ri për fëmijët, gjatë të cilave kontrollohet data e skadencës së produkteve që përmbajnë, si dhe etiketimi.

Me kontrollet e deritanishme nuk janë konstatuar mospërputhje nga aspekti i sigurisë në pakot e Vitit të Ri, por te disa operatorë, përjashtim bën shënimi i informatave të detyrueshme, ku mungonin deklarimet në gjuhën maqedonase.

“Si institucion përgjegjës për sigurinë ushqimore, apelojmë tek qytetarët që të jenë blerës të përgjegjshëm dhe të blejnë ushqime nga objektet e regjistruara/miratuara që janë nën kontrollin e shërbimeve inspektuese të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë”, thonë nga AUV, duke e bërë thirrje qytetarëve për çdo mospërputhje në lidhje me sigurinë ushqimore, të lajmërojnë personalisht në Agjenci, përmes telefonit në numrin pa pagesë 0 800 3 22 22 ose në [email protected].