RMV, anëtari i sapozgjedhur i Këshillit Gjyqësor dha dorëheqje për ta bërë djalin gjykatës

Në vend që sot ta japë betimin solemn në Kuvend, anëtari i sapozgjedhur i Këshillit Gjyqësor, gjykatësi suprem, Naqe Georgiev, zgjedhja e të cilit u kontestua nga ekspertët, dha dorëheqje nga pozita, njofton Portalb.mk.

Dorëheqjen e dha që t’i lëshojë udhë djalit të tij Kiril Georgiev të zgjedhet gjykatës në Gjykatën Penale të Shkupit, pasi që këto ditë kolegët e Këshillit Gjyqësor i kanë treguar se sipas Ligjit për Gjykata, familjari i afërt i Këshillit Gjyqësor nuk mund të zgjedhet gjykatës. Përpara seancës, Georgiev e ka dorëzuar dorëheqjen, ndërkaq djali i tij është zgjedhur gjykatës në Gjykatën penale të Shkupit.

Anëtarja e Këshillit Gjyqësor dhe ish kryetarja, Vesna Dameva deklaroi se i vjen mirë që deri te Naqe Georgiev ka ndikuar qëndrimi i saj dhe i disa kolegëve që nëse nuk jep dorëheqje do ta shkel ligjin.

Betimin solemn në Kuvend si anëtar i ri i Këshillit Gjyqësor, Georgiev duhej ta japë bashkë me gjykatësen Antoneta Dimoska, por betimi u anulua për më vonë. Jozyrtarisht, qëllimi ka qenë që fillimisht djali i Naqe Georgiev të zgjedhet gjykatës, ndërkaq më pas ta japë betimin ,por tre anëtarë, siç njoftuan mediat Ivica Nikollovski, Meri Radevska dhe Vesna Dameva e kanë bindur Georgievin se tanimë është anëtar i Këshillit dhe duhet të japë dorëheqje pasi që nuk është ligjore që babai ta zgjedh djalin për gjykatës.

Georgiev e ka dorëzuar dorëheqjen e ka dorëzuar në Kuvend me shkrim dhe ka theksuar se është për shkaqe personale, pa sqarim, ndërkaq Këshilli e ka konstatuar vendimin në seancën e sotme.

Zgjedhja e anëtarëve është bërë më 14 korrik të këtij viti.

Kujtojmë se, euroambasadori Dejvid Gir më pesë korrik njoftoi se, Bashkimi Evropian (BE) ka dërguar mision vlerësues në Maqedoninë e Veriut në lidhje me punën e Këshillit Gjyqësor, pas disa skandaleve dhe trazirave së fundmi. Giri sqaroi që tashmë kjo i është propozuar Qeverisë së Maqedonisë së Veriut dhe shpreson se do të realizohet sa më shpejtë që është e mundur. Ai theksoi që duhet të korrigjohet puna e Këshillit Gjyqësor.

Këshilli Gjyqësor në muajin maj ka qenë cak i kritikave negative nga ndërkombëtarët, pasi ish-kryetarja Vesna Dameva u shkarkua nga posti i saj më 26 prill. Në seancën e Këshillit Gjyqësor ka pasur debat kur Dameva ka refuzuar të vendosë një pikë votimi që nuk ishte në rend dite. Zëvendësi i saj Selim Ademi bëri thirrje për votim për shkarkimin e saj. Ai është mbështetur nga shtatë anëtarë dhe ka deklaruar se Dameva është shkarkuar dhe në prani të saj ka marrë drejtimin e seancës.

Pas skandalit ka ardhur një reagim nga ambasada amerikane. Nga aty theksuan se anëtarët e Këshillit kanë për detyrë ndërtimin e një sektori të pavarur gjyqësor. Pas dorëheqjeve të dy gjyqtarëve, Koalicioni “Të gjithë për një proces të drejtë” u bëri thirrje anëtarëve të tjerë që të dorëzojnë dorëheqjet. Gjykatësit kanë ardhur në pozitë tanimë tetë muaj, ndërkaq mandati i tyre është gjashtëvjeçar.