RMV, 60 përqind e studentëve kanë tërhequr kartela për racionin e subvencionuar, thirrje për të tjerët që të veprojnë më shpejt

Konform informacioneve nga  Banka Shparkase, partnere e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës në realizimin e masës – subvencionimi i racionit për studentë, deri më tani rreth 60% e studentëve të cilët kanë plotësuar kushtet për realizimin e kësaj të drejte kanë tërhequr kartelën  e dedikuar të pagesës vetëm përmes së cilës do të mund  t’i shfrytëzojnë mjetet që u takojnë, njoftoi MASh, transmeton Portalb.mk.

“Ministria e Arsimit dhe Shkencës u bënë thirrje të gjithë studentëve të  cilët ende nuk kanë vepruar konform  udhëzimeve  të  dhëna, ta bëjnë këtë sa më parë.  Është e detyrueshme të regjistroheni në platformën aktive online të  Bankës Shparkase  dhe të azhurnojnë të dhënat e tyre në:  https://netbanking.mk/studentPortal”, thonë nga MASh.

Më pas, ata do të njoftohen  përmes SMS porosisë  për kohën e saktë  ( brenda 24 orëve nga momenti i azhurnimit të të dhënave) dhe për vendin për nënshkrimin e marrëveshjes për hapjen e  llogarisë së veçantë dhe për marrjen e kartelës Visa të dedikuar për pagesën  për subvncionimin e racionit.

Mjetet në shumë prej 140 denarë në ditë do të mund t’i shfrytëzojnë nga e hëna deri të shtunën  për të blerë ushqime në markete, furra buke, restorante dhe persona të tjerë juridikë që prodhojnë, përgatisin ose shesin ushqime.

Ministria e Arsimit dhe Shkencës rikujton se aplikimi për këtë të drejtë për kandidatët që do të fitojnë statusin e studentit në vitin akademik 2023/2024 dhe të cilët nuk kanë regjistruar  semestrin veror, zgjat nga data 27 shtator deri më 2 tetor 2023. Çdo aplikant që ka nevojë për mbështetje të drejtëpërdrejtë  gjatë procesit të aplikimit mund të adresohen në kontaktin në vazhdim : [email protected] ose në zyrën e dedikuar në katin përdhesë në ndërtesën e Ministrisë.