Riorganizimi i ASH-së: A do të rikthehet një lider i vetëm apo tre fraksione do të vazhdojnë?

Aleanca për Shqiptarët në përpjekje për t’u konsoliduar, pas një periudhe me kosto të lartë për unitetin e partisë, meqë në rrethana të ndryshime kohore partia u nda në disa grupacione dhe rrjedhimisht struktura u përça në disa linja politike. Ziadin Sela si themeltar i ideologjisë së ASH-së para dhjetë vitesh, për më 27 dhjetor ka thirrur kuvendin e partisë me rend dite zhvillimet politike në vend dhe strukturimi i organeve partiake, shkruan AlsatM. 

Ndërkohë që Sela diskuton riorganizimin e ASH-së pas daljes nga koalicioni me BDI-në në kuadër të AKI-së, grupacioni tjetër i udhëhequr nga Arben Taravari, është moblilizuar për ta mbajtur gjallë koalicionin me BDI-në në kuadër të AKI-së. Fitorja në Gostivar dhe Vrapçisht, është prioritet numër një i Taravarit, meqë epilogu i kësaj gare, mbase do ta përcaktojë fatin politik të tij. Në sfond, për të konsoliduar strukturat është duke punuar edhe Arben Fetai, grupacioni i tretë që për dallim prej Selës dhe Taravarit, është në Qeveri me Koalicionin VLEN. Fetai, menjëherë pas zgjedhjeve lokale mbajti takime me strukturat e shumicës së komunave.

Siç mëson Alsat, nga mesi i dhjetorit duhet të ketë vendim gjykate, i cili do të përcaktojë nëse vulat duhet t’i ngelen Taravarit apo t’i kthehen Selës. Mes garës disavjeçare për vulat, së fundmi u ngrit dhe një iniciativë nga deputeti Ilir Demiri, për bashkimin e Aleancës për Shqiptarët në një trup. Këtë ai po tenton ta bëjë nga pozita e deputetit të pavarur, pasi kohë më parë u shkëput nga deputetët e tjerë të krahut të Selës.

Nga Aleanca për Shqiptarët e Taravarit për Portalb.mk bënë të ditur se vendimi i dytë i Apelit është në anën e tyre dhe se lënda kthehet për herë të dytë në Gjykatën Themelore të Tetovës.

“Seanca, sipas të gjitha gjasave, do të mbahet më 24.12.2025. Sa i përket koalicionit, vazhdojmë me AKI. Bashkëpunimi opozitar i të gjitha partive është domosdoshmëri”, thanë nga ASh Taravari. 

Nga Aleanca për Shqiptarët e Ziadin Selës heshtin. Nuk përgjigjen në pyetjet gazetareske se si do të vazhdojë rrugëtimi i tyre politik. Në opinion aludohet se grupi i Selës janë regjistruar si parti e re, megjithatë nga ky subjekt nuk e konfirmojnë një gjë të tillë.

Ndërkaq, nga Aleanca për Shqiptarët e Arben Fetait nga Qeveria nuk kanë një përgjigje konkrete se si do të vazhdojnë, do të regjistrohen si parti e re apo do të shkrihen në VLEN si parti e cila pritet të regjistrohet së shpejti.

 “Aleanca për Shqiptarët nuk janë individët, por fryma, nuk janë vulat, por strukturat, njerëzit e saj. Fryma e saj ka qenë dhe mbetet antipodi i BDI-së. Kësaj fryme i ka qëndruar besnik zëvendëskryeministri për Qeverisje të Mirë, Arben Fetai, dhe me të drejtë themi se organizimi ynë politik është i qartë në orientim. Ne jemi vazhdimësia e asaj fryme që nuk u shit dhe që nuk u dorëzua. Kjo frymë do të vazhdojë të ekzistojë përmes strukturave politike që janë ndërtuar mbi vlera, struktura që kanë për qëllim ta çojnë më tej vizionin për shqiptarët, duke u bazuar në filozofinë dhe trashëgiminë politike të Arben Xhaferit”, thanë nga ASh Fetai për Portalb.mk.

Përçarja e parë në Aleancën për Shqiptarët ndodhi para zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale 2024, kur Arben Taravari dhe Ziadin Sela i ndanë rrugët dhe u krijuan dy fronte.