Rikthehet Liga e Kampionëve, Real Madrid nikoqir i Manchester City-t

Klubi spanjoll Real Madrid do të jetë nikoqir i kampionit në fuqi Manchester City në ndeshjen e parë çerekfinale të Ligën e Kampionëve të UEFA-s, raporton Anadolu.

Mbrojtësi i Austrisë, David Alaba dhe portieri belg, Thibaut Courtois, nuk do të jenë në gjendje të luajnë për nikoqirët për shkak të lëndimeve.

“Është një ndeshje tepër tërheqëse për botën e futbollit. Nuk do të thosha se do të jetë e ngjashme me sezonin e kaluar, sepse çdo përballje ka karakteristikat e saj individuale”, tha trajneri i Real Madridit, Carlo Ancelotti, i cili shtoi:

“Por cilësia e të dyja palëve do të na mundësojë të shikojmë një ndeshje të bukur në nivel teknik. Ne e dimë se do të jemi më të mirë se City në disa aspekte dhe jo aq të mirë në të tjera. Le të shohim se çfarë do të ndodhë pas 180 minutash”.

Trajneri spanjoll i Manchester City-t, Pep Guardiola, përgëzoi paraqitjen e yllit të ri anglez të Real Madridit, Jude Bellingham.

“Ndikimi i Bellingham-it ka qenë masiv. Është një ekip ndryshe nga sezoni i kaluar. Ndikimi i tij është i dukshëm dhe ne duhet të përpiqemi të zbulojmë se çfarë bën ai për ta kontrolluar atë. Përballja me Real Madridin është gjithmonë një sfidë e vështirë, askush nuk mund ta mohojë këtë. Ata janë një klub i jashtëzakonshëm dhe në këtë kompeticion, ata mund të kontrollojnë shumë gjëra me përvojën që kanë në të kaluarën”, tha Guardiola.

Të dy skuadrat u ndeshën me njëra-tjetrën në gjysmëfinalet e Ligës së Kampionëve sezonin e kaluar, përballje e cila përfundoi 5-1 në total në favor të Manchester City-t.

Në Ligën e Kampionëve, ndeshjet e kthimit në kuadër të çerekfinaleve do të luhen në datat 16-17 prill.

Gjysmëfinalet do të luhen në datat 30 prill-1 maj dhe 7-8 maj, ndërsa finalja do të zhvillohet më 1 qershor në stadiumin Wembley të Londrës.

Ndeshjet çerekfinale janë si në vijim:

E martë:

  • Arsenal (Angli) – Bayern Munich (Gjermani)
  • Real Madrid (Spanjë) – Manchester City (Angli)

E mërkurë:

  • Atletico Madrid (Spanjë) – Borussia Dortmund (Gjermani)
  • Paris Saint-Germain (Francë) – Barcelona (Spanjë)