Ambasadori francez Le Rigoleur: Zbatimi i kompromisit dhe reformat reale janë kyçe për përparimin drejt BE-së
Ambasadori i Francës në Maqedoninë e Veriut, Christophe Le Rigoleur, në një intervistë për Portalb.mk thotë se propozimi franko-gjerman për integrimin gradual të vendeve kandidate në Bashkimin Evropian nuk nënkupton krijimin e një statusi të ndërmjetëm apo të një “lige të dytë” për vendet e Ballkanit Perëndimor. Përkundrazi, sipas tij, qëllimi i Francës dhe Gjermanisë është që procesit të zgjerimit t’i jepet dinamikë e re dhe që vendet kandidate, përfshirë Maqedoninë e Veriut, të përfitojnë më shumë gjatë rrugës drejt anëtarësimit të plotë.
“Kjo iniciativë, non-paper-i franko-gjerman të cilit i referoheni, ka disa kuptime. Kuptimi i parë është i rëndësishëm sepse tregon se Franca dhe Gjermania po mobilizohen dhe besojnë te zgjerimi. Ideja është pikërisht që t’i jepet një dinamikë dhe elan i ri këtij procesi të zgjerimit, për të cilin vërejmë se në disa shtete është i komplikuar, respektivisht do të kërkojë më shumë kohë nga ç’pritej”, tha Le Rigoleur.
Ai thekson se integrimi gradual nuk duhet të shihet si zëvendësim për anëtarësimin, por si mënyrë për të lidhur më mirë reformat me përfitimet konkrete që vendet kandidate mund t’i kenë para hyrjes së plotë në BE.
“Duke punuar në këtë proces të integrimit gradual, stimulohen reformat, por gjithashtu bashkohet më mirë puna reformuese me përfitimet nga rrugëtimi drejt BE-së. Ideja është që të zbatohen dhe të mbështeten politikat që shtetet ndërmarrin për reformat, si dhe t’u ndihmohet vendeve që të përparojnë dhe të përshpejtojnë ritmin e reformave”, deklaroi ambasadori francez.
Le Rigoleur sqaron se ky dokument nuk nënkupton krijimin e një statusi të dytë për vendet që aspirojnë anëtarësimin në BE.
“Ky non-paper nuk nënkupton se do të krijohet një status i dytë, pra që do të ketë shtete anëtare të BE-së që nuk do të bëhen anëtare me të drejta të plota, por do të kenë vetëm një status ndërmjetësues. Nuk është ky plani, sepse vizioni që kemi në Paris dhe Berlin është i qartë, e ai është integrimi i plotë i vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe i Maqedonisë së Veriut”, tha ai.
I pyetur nëse kjo do të thotë se nuk do të ketë “ligë të dytë”, ambasadori u përgjigj prerazi se nuk është ky qëllimi i propozimit.
“Jo, nuk është aspak ligë e dytë dhe nuk duam të krijojmë një ndarje të tillë apo ligë të dytë, por duhet të jemi të gjithë të bashkuar në të njëjtën ligë, duke punuar së bashku sipas rregullave, vlerave dhe qëllimeve të njëjta për sovranitetin, sigurinë dhe prosperitetin evropian për popullatën tonë”, tha Le Rigoleur.
Sipas ambasadorit, zgjerimi i BE-së sot ka edhe rëndësi strategjike, për shkak të ndryshimeve të shpejta gjeopolitike dhe sfidave të sigurisë me të cilat përballet Evropa. Ai thotë se Franca dhe Gjermania duan që vendet e Ballkanit Perëndimor të integrohen më shpejt në BE, sepse Evropa duhet të jetë më e bashkuar dhe më e fortë.
“Jemi në një botë që po ndryshon shpejt dhe është e rrezikshme. Kjo është një botë në të cilën ne evropianët kemi konkurrentë strategjikë që nuk na duan gjithmonë të mirën dhe është e nevojshme të bashkohemi që të jemi më të fortë për të mbrojtur vlerat tona dhe demokracinë e shoqërive tona”, theksoi ambasadori.
Duke folur për qytetarët e Maqedonisë së Veriut, të cilët janë lodhur nga pritja e gjatë para dyerve të Bashkimit Evropian, Le Rigoleur thotë se mesazhi i BE-së mbetet i qartë: reformat duhet të vazhdojnë. Ai iu referua edhe mesazhit të ambasadorit suedez në vend, i cili më në një intervistë të Portalb.mk më hertë tha se çelësi i anëtarësimit janë “reformat, reformat, reformat”.
“Sigurisht që unë nuk do të përsëris atë që tha kolegu im suedez, por ai ka plotësisht të drejtë sepse reformat janë një element i rëndësishëm, ato janë një nga parimet thelbësore dhe kjo gjendet edhe në non-paper për vlerësimin e meritave të çdo shteti kandidat. Maqedonia e Veriut ka miratuar një Agjendë Reformuese, por është e rëndësishme të vazhdohet në rrugën e reformave”, deklaroi Le Rigoleur.
Ai shton se reformat nuk janë vetëm kërkesë formale nga Brukseli, por pjesë e marrëveshjes mes Maqedonisë së Veriut dhe BE-së, e lidhur edhe me mbështetjen financiare që vendi merr nga Bashkimi Evropian.
“Mesazhi ynë është shumë i qartë dhe i vazhdueshëm, cilado qoftë specifika e rrugës evropiane të Maqedonisë së Veriut, reformat duhet të zbatohen sepse shteti ka marrë obligime. Kjo është pjesë e rrugës së përafrimit drejt BE-së dhe pjesë e marrëveshjes midis Bashkimit Evropian dhe Maqedonisë së Veriut, sepse nga njëra anë është procesi i reformave dhe nga ana tjetër është mbështetja që jep BE-ja, veçanërisht ajo financiare”, tha ambasadori.
Një nga çështjet kryesore për rrugën evropiane të Maqedonisë së Veriut mbetet kompromisi i vitit 2022, i njohur në opinion si propozimi francez, si dhe detyrimet që dalin prej tij në raport me procesin e negociatave. Le Rigoleur këmbëngul se ky kompromis nuk është marrëveshje bilaterale me Bullgarinë, por tekst i nënshkruar mes Maqedonisë së Veriut dhe Bashkimit Evropian.
“Pak semantikë. Të saktësoj, kompromisi i vitit 2022 nuk është një kompromis i Bullgarisë, por është një tekst që u nënshkrua midis Maqedonisë së Veriut dhe Bashkimit Evropian. Dhe me atë tekst Maqedonia e Veriut merr obligime ndaj Bashkimit Evropian”, tha ambasadori francez.
Ai është i qartë se ky dokument nuk do të hapet sërish për negociata, pavarësisht kërkesave politike që herë pas here vijnë nga politikanët në vend.
“Me të vërtetë do të dëshiroja të shprehem si mik i maqedonasve dhe i Maqedonisë së Veriut. Mendoj se duhet të jemi realistë, kompromisi i vitit 2022 nuk do të rihapet dhe nuk do të negociohet përsëri. Të negociohet sërish për këtë kompromis të vitit 2022 do të na çonte vetëm në një rezultat, të gjithë të humbasim kohë. Mendoj se kjo nuk është një ide e mirë”, deklaroi Le Rigoleur.
Sipas tij, rruga përpara nuk është rinegocimi, por gjetja e mënyrës për zbatimin e kompromisit në mënyrë politikisht të pranueshme dhe brenda një afati të arsyeshëm.
“Ajo në të cilën ne duam të punojmë është të gjenden mënyrat jo për të negociuar sërish, por për ta zbatuar atë duke u përpjekur të gjendet një mbështetje në mënyrë që të pranohet politikisht dhe të jetë e mundur, dhe kjo brenda një afati të arsyeshëm. E dimë se kompromisi i vitit 2022 është kompleks, i komplikuar, ka elemente që shfaqen njëri pas tjetrit dhe e dimë se nuk është gjithmonë e thjeshtë”, tha ai.
Ambasadori francez thekson se për këtë arsye është i domosdoshëm dialogu i sinqertë, i hapur dhe i qetë mes Shkupit dhe Sofjes. Ai vlerëson se pas formimit të qeverisë së re në Bullgari ka shenja të para të ripërtëritjes së komunikimit bilateral, përfshirë takime dhe kontakte të nivelit të lartë.
“Qëndrimi ynë është vazhdimisht i njëjtë, na nevojitet të kemi një dialog të sinqertë, të hapur dhe të qetë midis Shkupit dhe Sofjes. Vërejmë me kënaqësi se që kur qeveria e re mori detyrën në Sofje, ka gjeste të para, takime të para për bisedime bilaterale”, tha Le Rigoleur.
Megjithatë, ai paralajmëron se procesi nuk do të jetë i lehtë dhe se mund të ketë provokime nga aktorë që nuk dëshirojnë përmirësim të marrëdhënieve mes dy vendeve.
“Duhet të mbetemi optimistë dhe ajo që unë vërej është se ngadalë po ekziston një dinamikë dhe një ripërtëritje e bisedimeve bilaterale. Kjo nuk do të thotë se gjithçka është zgjidhur dhe do të jetë e lehtë të zgjidhet, por ajo që është më e rëndësishme është të bisedohet me njëri-tjetrin, t’i thuhen gjërat në mënyrë të ndërsjellë”, tha ambasadori.
Ai shton se nuk duhet të ketë naivitet, sepse sipas tij, në të dyja vendet mund të ketë individë dhe mjedise që nuk duan normalizimin e marrëdhënieve.
“Sipas të gjitha gjasave do të ketë provokime, deklarata të pamatura, akuza e kështu me radhë. Prandaj, ne të gjithë duhet të jemi të arsyeshëm në lidhje me këtë, të menaxhojmë të qetë dhe me maturi, në mënyrë që të gjithë, politikanët maqedonas, bullgarë, por edhe ata evropianë që e shoqërojmë këtë dialog, të jemi të gatshëm t’i përkushtohemi sinqerisht dhe të hyjmë në një dialog të besueshëm”, deklaroi Le Rigoleur.
Një tjetër temë e rëndësishme për Maqedoninë e Veriut, sipas ambasadorit, është dezinformimi. Ai thotë se rruga e bllokuar drejt BE-së krijon hapësirë për aktorë që mund ta keqpërdorin frustrimin qytetar përmes fushatave manipuluese.
“Temën e manipulimit të informacioneve dhe dezinformatave ne e trajtojmë me seriozitet në Francë, sepse vërejmë, dhe nuk jemi të vetmit, se dezinformimi nuk është vetëm një dukuri dytësore e disa gjërave që ndodhin në TikTok dhe Instagram, por potencialisht bëhet një armë e fuqishme politike e cila mund t’i rrezikojë të gjitha shoqëritë, mund të shkaktojë konflikte ushtarake dhe të vriten njerëz”, tha ambasadori.
Ai shton se dezinformimi sot mund të përdoret si instrument joushtarak kundër shteteve, institucioneve dhe qytetarëve.
“Sot dezinformimi është një mjet joushtarak që mund të përdoret kundër shteteve, shoqërive, individëve. Kur dihet se dezinformimi mund të përdoret si një lloj arme, duhet të forcojmë mbrojtjen tonë kundër këtij fenomeni”, theksoi Le Rigoleur.
Franca, sipas tij, ka krijuar strukturën “Viginum”, e cila merret me monitorimin dhe përgjigjen ndaj ndërhyrjeve digjitale nga jashtë. Ai theksoi se ndërhyrjet e tilla janë veçanërisht të ndjeshme gjatë proceseve zgjedhore. Si shembull, ai përmendi vendimin e Francës që për zgjedhjet presidenciale të vitit 2027 të mos lejojë votim elektronik, për shkak të rreziqeve të sigurisë.
“Në nivel kombëtar kemi futur një strukturë që quhet Viginum, e cila është e specializuar për monitorimin, përcaktimin dhe dhënien e përgjigjes ndaj ndërhyrjeve digjitale nga jashtë. E dimë se ndërhyrja digjitale nga jashtë është shumë e rëndësishme, veçanërisht në proceset zgjedhore”, tha ambasadori francez.
Në Maqedoninë e Veriut, ai paralajmëron se Franca do të vazhdojë të mbështesë iniciativa për edukim mediatik, gazetari të pavarur hulumtuese dhe luftë kundër manipulimit me informacione.
“Në Maqedoninë e Veriut mbështesim iniciativa të caktuara dhe do të kemi edhe programe të tjera gjatë vitit të ardhshëm për edukimin mediatik, forcimin e gazetarisë së pavarur hulumtuese dhe luftën kundër manipulimit me informacione. Në fund të fundit, kjo luftë është një sfidë demokratike dhe prek të gjithë: shtetin, qytetarët, gazetarët, mediat, por gjithashtu edhe shoqërinë civile”, tha Le Rigoleur.
Në lidhje me reformat dhe Planin e Rritjes, ambasadori francez thotë se nga fillimi i vitit 2026 është i dukshëm një përshpejtim i reformave, që ka mundësuar zhbllokimin e 65 milionë eurove nga Bashkimi Evropian. Megjithatë, ai paralajmëron se vendi duhet të vazhdojë me kujdes dhe me rezultate reale, sidomos në sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe gjyqësorin e pavarur.
“Ekziston një përshpejtim i vërtetë i reformave i cili është i dukshëm që nga fillimi i vitit 2026, me çka zhbllokohen nga ana e BE-së 65 milionë euro në kuadër të Planit të Rritjes. E gjithë kjo është dëshmi se ekziston një dinamikë pozitive që po zbatohet. Por ende jemi të kujdesshëm, vazhdojmë të mbështesim procesin e reformave”, tha Le Rigoleur.
Ai shton se Franca ka tre ekspertë teknikë që punojnë në ministritë kryesore për zbatimin e reformave, me qëllim që ta mbështesin vendin në rrugën drejt BE-së.
“Franca ka tre ekspertë teknikë që veprojnë në tre ministritë kryesore për zbatimin e reformave dhe janë këtu për të ndihmuar me përvojën dhe ekspertizën e tyre në zbatimin e reformave dhe në rrugën drejt BE-së. Mbetemi të kujdesshëm”, deklaroi ambasadori.
Sipas tij, miratimi i ligjeve nuk është i mjaftueshëm nëse ato nuk zbatohen në praktikë. Ai thotë se pikërisht qytetarët e Maqedonisë së Veriut janë ata që në fund do të vlerësojnë nëse reformat kanë dhënë rezultat.
“Është mirë të miratohen ligje, por akoma më mirë është që ato të zbatohen. Kjo është diçka për të cilën kemi kujdes dhe është një nevojë demokratike në një shtet demokratik si ky, dhe do të duhet që edhe qytetarët e këtij shteti të vlerësojnë nëse janë zbatuar reformat”, tha Le Rigoleur.
Në intervistë, ambasadori foli edhe për qëndrimin e Francës ndaj Ukrainës, duke theksuar se mbështetja për Kievin mbetet e pandryshuar që nga fillimi i luftës.
“Për konfliktin në Ukrainë, qëndrimi ynë është i vazhdueshëm që nga vetë fillimi. Konsiderojmë se kjo luftë është e papërligjur dhe do ta mbështesim Ukrainën aq gjatë sa të jetë e nevojshme në mbrojtje të sovranitetit të saj dhe në mbrojtje të popullatës së saj”, tha ai.
Le Rigoleur foli shkurt edhe për rolin e Francës në sigurinë ndërkombëtare, duke theksuar se si anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Franca ka përgjegjësi për paqen dhe stabilitetin global. Ai përmendi rolin e Marinës Franceze në zbatimin e sanksioneve kundër Rusisë, si dhe gatishmërinë e Parisit për të kontribuar në garantimin e qarkullimit të lirë në zona strategjike si Ngushtica e Hormuzit.