Mickoski: Qëllimi ynë është të sigurojmë një pjesëmarrje më të madhe të diasporës në votim

Kryeministri Hristijan Mickoski duke folur sot për mosmarrëveshjet me opozitën në lidhje me ndryshimet në Kodin Zgjedhor, tha se për to është e rëndësishme se, pavarësisht për çfarë zgjedhjesh bëhet fjalë, ato të organizohen në mënyrë kredibile, si dhe t’i mundësohet diasporës të marrë pjesë në këto procese, transmeton Portalb.mk.

Mickoski, sot pas vendosjes së gurthemelit për ndërtimin e një pishine të mbyllur në SHFK “Aco Shopov” në Komunën e Butelit, në pyetjen nëse do të diskutohet një mënyrë tjetër votimi për diasporën përveç votimit elektronik, të cilin e kundërshton opozita, tha se është i pranueshëm edhe modeli i votimit me postë, për të cilin ka dhjetëra shembuj në Evropë dhe në botë, me qëllim, siç tha ai, të sigurohet pjesëmarrje më e madhe e diasporës në votim.

“Mund të votohet edhe përmes postës; kemi dhjetëra shembuj të tillë në Evropë dhe në botë. Edhe këtë do ta pranojmë, vetëm që të sigurojmë një pjesëmarrje më të madhe të diasporës në votim, sepse diaspora është shumë e rëndësishme për ne për shkak se remitancat që dërgon në atdhe janë të mëdha. Ne si Qeveri kemi ambicie që diasporën ta kthejmë në shtëpi. Nëse e ndërpresim edhe këtë lidhje, praktikisht ndërpresim çdo lidhje të diasporës me atdheun e vet. Ne nuk duam që kjo të ndodhë; përkundrazi, duam ta forcojmë dhe ta intensifikojmë këtë lidhje. Prandaj për ne kjo është shumë e rëndësishme. Çdo gjë tjetër, siç do të vendosin, ne do ta pranojmë. Çfarëdo që të kërkojnë, do të pranohet: më shumë fonde për financimin e fushatës, mënyra e votimit, mënyra e ankesave dhe kundërshtimeve — siç duan ata, do ta pranojmë, por për ne e detyrueshme dhe konstante është votimi i diasporës”, tha Mickoski.

Procesi i miratimit të Kodit Zgjedhor vazhdon të mbetet i bllokuar për shkak të mungesës së konsensusit mes pushtetit dhe opozitës.

Kujtojmë se Qeveria, përmes ndryshime në Kodin Zgjedhor, pretendon se dëshiron t’u mundësojë qytetarëve të Maqedonisë që jetojnë jashtë vendit të votojnë elektronikisht, si një mënyrë për ta ushtruar më lehtë të drejtën e tyre të votë.

Opozita paralajmëroi se votimi elektronik nuk duhet të futet pa garanci të sakta ligjore dhe pa një konsensus të gjerë politik.