Revizioni zbuloi parregullsi në Akademinë e Gjyqtarëve: Honorarë të paligjshme dhe kaos me tenderët

Akademia për Gjyqtarë dhe Prokurorë Publikë “Pavel Shatev” ka hyrë në fokus të ri institucional pas raportit përfundimtar të Entit Shtetëror të Revizionit për vitin 2024, në të cilin janë konstatuar parregullsi në një pjesë të pagesave, prokurimeve publike, kontrolleve të brendshme dhe procedurave që lidhen me pranimin e dëgjuesve të rinj. Revizorët kanë dhënë opinion pa rezervë për vërtetësinë dhe objektivitetin e raporteve financiare, por opinion me rezervë për përputhshmërinë me rregullativën ligjore, udhëzimet dhe politikat e vendosura, transmeton Portalb.mk.

Sipas raportit, kompensimet për anëtarët e Këshillit Drejtues dhe Këshillit Programor janë paguar çdo muaj dhe në tërësi, në vend që të paguheshin proporcionalisht sipas pjesëmarrjes në mbledhje. Për anëtarët e Këshillit Drejtues janë paguar 1,976 milionë denarë, ndërsa revizioni ka konstatuar se një pjesë e mjeteve janë paguar edhe për anëtarë që nuk kanë marrë pjesë në mbledhje, me efekt të pagesës së tepërt prej 211 mijë denarësh. Për Këshillin Programor janë paguar 1,512 milionë denarë, prej të cilave 747 mijë denarë për muaj në të cilët nuk janë mbajtur mbledhje.

Revizioni ka konstatuar gjithashtu se afati ligjor për përfundimin e fazës së dytë të trajnimit fillestar për gjeneratën e tetë është tejkaluar për tre muaj, gjë që ka sjellë shpenzime shtesë për mentorët dhe koordinatorët. Një pjesë e kontratave me mentorët janë lidhur pas përfundimit të periudhës së mentorimit, ndërsa koordinatorëve u janë paguar mjete edhe pse statusi, të drejtat dhe detyrimet e tyre nuk janë të përcaktuara me Ligjin për Akademinë.

Parregullsi janë evidentuar edhe në fushën e marrëdhënieve të punës dhe menaxhimit material. Revizorët kanë konstatuar tejkalim të maksimumit ligjor për punën jashtë orarit, pa njoftim paraprak me shkrim ndaj inspektorit të punës, si dhe pagesë për punë jashtë orarit në ditë kur i njëjti person ka pasur edhe mëditje për udhëtim zyrtar jashtë vendit dhe pjesëmarrje në mbledhje gjatë orarit të rregullt të punës. Në Akademi, sipas raportit, nuk është vendosur evidencë nga e cila mund të përcaktohet se kujt dhe për çfarë qëllimi i janë lëshuar kartela karburanti.

Në prokurimet publike, revizioni ka konstatuar kritere që nuk kanë qenë të lidhura drejtpërdrejt me lëndën e prokurimit, si dhe furnizime me mallra dhe shërbime pa procedurë të zhvilluar të prokurimit publik në vlerë totale prej 418 mijë denarësh me TVSH. Për më tepër, për testet psikologjike të provimit pranues që nga viti 2011 është përdorur vazhdimisht procedura me negociim pa shpallje publike me të njëjtin operator ekonomik, ndërsa në procedurën e vitit 2023 nuk është kërkuar dëshmi se operatori është institucion profesional i akredituar.

Një pjesë e veçantë e raportit i referohet gjeneratës së nëntë të dëgjuesve. Akademia në janar të vitit 2023 shpalli konkurs për pranimin e 130 dëgjuesve, ku u paraqitën 527 kandidatë. Procedura u pezullua me vendim të Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit deri në përfundimin e zgjedhjeve presidenciale, vendim i konfirmuar nga Gjykata Administrative dhe Gjykata e Lartë Administrative. Pas zgjedhjeve, Akademia mori njoftim qarkor nga Qeveria për ndërprerjen e procedurave të caktuara të punësimit dhe avancimit, ndërsa pas kërkesave për sqarim drejtuar Qeverisë, Ministrisë së Financave dhe Ministrisë së Drejtësisë, sipas revizorëve, nuk mori përgjigje konkrete. Këshilli Drejtues më 25 dhjetor 2025 mori vendim që konkursi të anulohej.

Ish-drejtoresha Natasha Gaber-Damjanovska, në vërejtjet e saj me shkrim ndaj raportit të revizionit, ka theksuar se lëshimet e konstatuara nuk kanë qenë rezultat i qëllimit për të anashkaluar ligjin, por i rrethanave objektive dhe vëllimit intensiv të punës. Ajo ka theksuar se gjatë periudhës janë realizuar aktivitete për gjeneratën e gjashtë, të shtatë, të tetë dhe për gjeneratën e nëntë të filluar, me më shumë se 1.600 kandidatë dhe me burime të kufizuara njerëzore.

Rasti hapet në një periudhë kur gjyqësori përballet me mungesë serioze të kuadrove. Ministria e Drejtësisë më herët ka njoftuar se plotësimi i vendeve të gjyqtarëve është rreth 67 përqind, ndërsa plotësimi i shërbimit gjyqësor vetëm 36 përqind, gjë që ndikon drejtpërdrejt në efikasitetin e procedurave dhe të drejtën për gjykim brenda një afati të arsyeshëm.