REK “Manastiri” vitin e kaluar ishte ndotësi më i madh me dioksid squfuri dhe grimca në Ballkanin Perëndimor

Në vitin 2022, termocentrali REK “Manastiri” ishte ndotësi më i madh me dioksid squfuri dhe grimca pluhuri në të gjithë Ballkanin Perëndimor. Emetimet nga oxhaqet e TC Manastir janë pothuajse dyfishuar në krahasim me vitin 2021, ndonëse për shkak të zjarrit të transformatorit në bllokun e tretë, ai ishte jashtë përdorimit për një vit të tërë dhe termocentrali funksiononte me kapacitet të reduktuar, raporton Eko- svest, transmeton Portalb.mk.

Sipas një raporti të ri nga Rrjeti Bankwatch CEE, “Harmonizohu ose mbylle – 2023”, Termocentrali i Manastirit është deri tani objekti industrial më ndotës në vendet e Ballkanit Perëndimor.

Me vetëm njësinë e parë dhe të dytë aktive gjatë vitit 2022, uzina emetoi 111,408 ton dioksid squfuri në ajër. Kjo është një sasi 17 herë më e lartë se ajo që lejohet nga Plani Kombëtar i Reduktimit të Emetimeve dhe është gjithashtu më shumë se emetimet totale që lejohen për të gjitha termocentralet me qymyr në Ballkanin Perëndimor.

Edhe shkarkimet e pluhurit janë rritur në mënyrë alarmante dhe kanë arritur në 3899 tonë, më shumë se trefishi i lejuar për njësinë e parë dhe të dytë të termocentralit. Kjo është gjithashtu sasia më e madhe e pluhurit të emetuar nga një oxhak në të gjithë Ballkanin Perëndimor.

Pesë vjet pasi rregullat e kontrollit të ndotjes hynë në fuqi përmes Marrëveshjes për Komunitetin e Energjisë, termocentralet maqedonase, në kundërshtim me detyrimet e tyre, po rriten në vend që të zvogëlojnë emetimet. Sekretariati i Komunitetit të Energjisë tashmë ka hapur një rast kundër Maqedonisë së Veriut për shkak të mosrespektimit të dispozitave për reduktimin e emetimeve.

“I gjithë rajoni është i kërcënuar nga ndotja e pakontrolluar nga termocentralet me qymyr dhe çdo vit shohim se si termocentralet e mëdha në Serbi dhe Bosnjë e Hercegovinë po thyejnë rekorde. Megjithatë, ne nuk kemi vërejtur një rritje kaq të madhe të emetimeve siç ka pasur TEC Manastir në vitin 2022. Pasojat e kësaj lloj ndotjeje do të jenë të mëdha për rajonin e Manastirit, por edhe për mbarë vendin dhe më gjerë”, thotë Davor Pehçevski nga Rrjeti Bankwatch CEE.

Elena Nikollovska nga Eko-svest thotë se Qeveria e Republikës së Maqedonisë ka miratuar synime ambicioze klimatike dhe energjetike, me të cilat parashihet mbyllja e kapaciteteve të thëngjillit deri në vitin 2027.

“Është e nevojshme të respektohen afatet për përmbushjen e këtyre synimeve për t’i dërguar një mesazh të qartë sektorit të energjisë, industrisë dhe qytetarëve se vendi është vazhdimisht i përkushtuar për të braktisur lëndët djegëse fosile, një tranzicion të drejtë drejt burimeve të rinovueshme dhe teknologjive të pastra dhe kujdesit për shëndetin e qytetarëve”, thotë Nikollovska.