Temperaturat e larta janë rrezik për helmim nga ushqimi, kini kujdes se çfarë hani dhe nga blini

Në verë, kur temperaturat ditore janë të larta, duhet t’i kushtohet vëmendje sigurisë së ushqimit të konsumuar. Moti i nxehtë rrit rrezikun e helmimit nga ushqimi dhe për ta parandaluar atë, është e nevojshme të bëhet zgjedhja e duhur gjatë blerjes së tij, për të siguruar kushte të përshtatshme transporti dhe ruajtjeje, transmeton Portalb.mk.

Siç potencuan për Meta.mk nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), është e nevojshme që të kihet kujdes për pamjen e ushqimit, periudhën e përdorimit dhe ruajtjes së duhur, të blihet nga vendet e verifikuara ku ka kushte dhe ku produktet, veçanërisht lëndët që prishen lehtë me origjinë shtazore ruhen në frigoriferë.

“Duhet të shmanget blerja dhe konsumimi i ushqimeve me ambalazh të dëmtuar (të shtypur, të fryrë apo të plasaritur). Produktet e ftohta ose të ngrira duhet të blihen në fund të blerjeve dhe ushqimet që prishen si mishi, qumështi, vezët etj, nuk duhet të ruhen për një kohë të gjatë në makina dhe mjete të tjera transporti. Duhet të shmangni blerjen e ushqimeve të ftohta ose të ngrira që prishen që mbahen jashtë frigoriferit ose ngrirësit”, rekomandon AUV.

Përveç kësaj, ushqimi i ftohtë duhet të mbahet në temperaturë më të ulët se 5 gradë Celsius dhe ushqimi që do të gatuhet duhet të përpunohet termikisht në një temperaturë më të lartë se 60 gradë Celsius. Frutat dhe perimet duhet të lahen mirë nën ujë të rrjedhshëm përpara përdorimit, ndërsa mishi, qumështi dhe vezët duhet të përpunohen mirë termikisht.

Pas përgatitjes, ushqimi i ftohur duhet të ruhet në frigorifer. Ruani ushqimin e gatuar në raftet e sipërme dhe ushqimin e papërpunuar në pjesën e poshtme. Mbroni ushqimin nga insektet, brejtësit dhe kafshët shtëpiake dhe kafshët e tjera që mund të vijnë në kontakt me të.

“Nëse hani në objektet hotelerike, sigurohuni që ata të jenë operatorë ushqimorë që kujdesen për higjienën dhe sigurinë ushqimore dhe kanë reputacion të mirë. Në ambjentet e ushqimit të shpejtë shmangni aditivët që nuk qëndrojnë në frigorifer, si majonezë, keçap, kremra sallatash, salca, etj. Nëse mendoni se ushqimi nuk është i sigurt, mos rrezikoni – hidheni”, theksojnë nga AUV.

Ndryshe, para fillimit të çdo sezoni turistik, si dhe përpara çdo eventi të madh të tipit të hapur ku përgatitet apo shërbehet ushqimi, shërbimet e inspektimit të AUV kryejnë kontrolle të jashtëzakonshme, të intensifikuara të operatorëve ushqimorë.

“Me kontrollet e jashtëzakonshme në qendrat turistike në vend, ku pritet frekuencë e shtuar e turistëve, do të mbulohen hotelet, restorantet, piceri, pastiçeri, burektore, furra buke, sanduiçësh, qebaptor3, kafene, markete”, thonë nga AUV.

Nga aty apelojnë qytetarët që çdo mospërputhje sa i përket sigurisë ushqimore të lajmërojnë në linjën telefonike falas për konsumatorët e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë 0800 3 22 22 personalisht pranë Agjencisë ose në emailin [email protected].

Para pak kohësh, Inspektorati Shtetëror Shëndetësor dhe Sanitar (IShSSh) njoftoi për Meta.mk se këtë vit është regjistruar vetëm një rast i helmimit nga ushqimi. Edhe vitin e kaluar kishte vetëm një helmim.