Regjistrimi i ardhshëm i popullsisë në RMV është planifikuar për vitin 2031, diaspora nuk do të përfshihet

Regjistrimi i ardhshëm i popullsisë pritet të kryhet në vitin 2031, ndërsa Enti Shtetëror i Statistikave dhe Ministria e Transformimit Digjital po punojnë për të përgatitur kushtet që ai të kryhet elektronikisht. Kjo do të thotë që në vend që të ketë regjistrues që shkojnë derë më derë, të dhënat do të “nxirren” nga burimet administrative. Edhe në regjistrimin e fundit në vitin 2021, një pjesë e të dhënave u mor nga të dhënat që kishin institucionet, por megjithatë kishte regjistrues në terren duke i kontrolluar ato, transmeton Portalb.mk. Diaspora do të përjashtohet nga procesi i regjistrimit të popullsisë që pritet të realizohet në vitin 2031. Këtë e paralajmëroi numri një i Entit të Statistikave Dejan Stankov duke u bazuar në vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Se regjistrimi i ardhshëm mund të pritet të jetë plotësisht elektronik, u deklarua sot, duke iu përgjigjur pyetjeve gazetareske, nga Ministri i Transformimit Digjital Stefan Andonovski dhe Dejan Stankov, drejtori i Entit Shtetëror të Statistikave, institucioni kryesor në juridiksionin e të cilit ndodhet zbatimi i operacionit më të madh statistikor.

“Në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe në përputhje me rezolutën e miratuar vitin e kaluar në Asamblenë e Përgjithshme të Komisionit Statistikor brenda Kombeve të Bashkuara (OKB), regjistrimi i ardhshëm global i popullsisë është planifikuar të kryhet rreth vitit 2030, pra 2030-2031”, tha Stankov.

Në këtë drejtim, siç deklaroi drejtori, Statistikat kanë filluar përgatitjet për krijimin e një sistemi statistikor të bazuar në regjistra sepse, siç thotë ai, qëllimi është që regjistrimi i ardhshëm të kryhet elektronikisht duke përdorur metodologjinë statistikore që zyrtarisht quhet përdorimi i burimeve administrative.

Për këtë qëllim, tha Stankov, janë iniciuar aktivitete për krijimin e një regjistri të popullsisë ku, së bashku me institucionet që posedojnë të dhëna administrative ose, siç thotë drejtori, janë bartës të këtyre të dhënave, shqyrtohet cilësia e tyre.

“Ajo që ne si shtet duhet të bëjmë në periudhën e ardhshme është që të gjitha institucionet të punojnë së bashku nën udhëheqjen e Entit Shtetëror të Statistikave për të përmirësuar cilësinë e burimeve administrative, pra ta sjellim këtë cilësi në një nivel që është i përshtatshëm për standardet statistikore dhe kështu të kryejmë një regjistrim që bazohet në burime administrative”, tha drejtori i Entit Shtetëror të Statistikave.

Diaspora do të përjashtohet

“Si Ent Shtetëror për Statistika do ta marrim parasysh propozimin e Gjykatës Kushtetuese e cila është sjellë para një periudhe të caktuar. Në përputhje me metodologjinë statistikore dhe standardeve ndërkombëtare nuk ka nevojë që të ndajmë qytetarët, në kuptimin nuk ka nevojë të përfshijmë popullsinë jo rezidente sepse qëllimi i regjistrimit është përcaktimi i popullsisë rezidente, gjegjësisht popullsinë që jeton në shtet dhe kjo është definicioni themelor statistikor”, tha Stankov.

“E dini se si parti politike e kemi kritikuar regjistrimin e kaluar dhe kishim arsye se pse. Një pjesë e madhe e të dhënave nuk ishin mbledhur në mënyrën e duhur të metodologjisë. Regjistroheshin njerëz nga mërgata të cilët fare nuk janë rezident të shtetit nën rrethana të paqarta. Kujtojmë se kishte pako me pasaporta të cilët regjistroheshin sikur janë njerëz dhe këtë nuk guxojmë ta lejojmë në regjistrimin e ardhshëm dhe mirë është që kemi filluar më herët që secili të punojë në regjistrat e tij”, tha ministri Stefan Andonovski.

Çështjes së gatishmërisë së shtetit për të kryer një regjistrim elektronik iu drejtua fillimisht Andonovski, partia mëmë e së cilit VMRO-DPMNE, atëherë në opozitë, kishte kundërshtime serioze ndaj regjistrimit të fundit të vitit 2021 dhe në programin e saj zgjedhor propozoi për një metodologji të re për regjistrimin e popullsisë.

“Obligimi ynë politik është të bëjmë të gjitha përgatitjet për një regjistrim digjital. E di saktësisht se në programin e Qeverisë dhe në programin e partisë thuhet se në vitin 2026, ne e dimë se Eurostat rregullon që kjo duhet të ndodhë çdo 10 vjet, që do të thotë se këtë vit secili prej nesh duhet të punojë në regjistrat e veta, në ndërveprimin e të dhënave në mënyrë që të jemi gati ta bëjmë këtë, dhe do të kemi kohë nga sot deri në afatin e fundit për kryerjen e regjistrimit. Ne po testojmë, po pilotojmë fazat, sigurisht, nën drejtimin e Entit Shtetëror të Statistikave, dhe jemi të sigurt se kur të vijë regjistrimi, të gjithë do t’u besojmë si rezultateve ashtu edhe metodologjisë mbi bazën e së cilës do të kryhet”, tha Andonovski.

Kujtojmë se Gjykata Kushtetuese më 26 qershor 2025 shfuqizoi dispozita të metodologjisë të cilat ndanin popullsinë e Maqedonisë në rezident dhe jo-rezident. Sipas Kushtetueses, ky kategorizim ishte bërë pa bazë ligjore sepse ligji për regjistrim nuk parashihte një ndarje të tillë me akt nënligjor.

Sipas të dhënave nga regjistrimi i vitit 2021, popullsia e përgjithshme e Maqedonisë së Veriut është 2 milionë e 97 mijë e 319 persona prej të cilëve 1 milion e 836 mijë e 713 persona janë rezident.

Si jorezidentë janë regjistruar 260 mijë e 606 persona. Prej tyre rreth 180 mijë apo 66,4 përqind janë shqiptarë, ndërsa mbi 12 mijë apo 24,5 përqind janë maqedonas.

Në përgjithësi sipas përkatësisë etnike, rezident dhe jorezident është si vijon: