Paralajmërimet për Regjistrim të popullsisë në vitin 2026, partitë opozitare shqiptare: Janë tendencioze, të papranueshme dhe provokuese

Partitë opozitare shqiptare, Bashkimi Demokratik për Integrim dhe Aleanca për Shqiptarët e Arben Taravarit, kanë shprehur shqetësim të thellë dhe kundërshtim ndaj paralajmërimit të ministrit për Transformim Digjital, Stefan Andonovski, për realizimin e një regjistrimi digjital të popullsisë në vitin 2026, pesë vite para afatit të rregullt që është caktuar për vitin 2031, shkruan Portalb.mk.  

“Që në vitin 2022, lideri i opozitës, Hristijan Mickoski, refuzoi publikisht t’i pranojë rezultatet e regjistrimit të popullsisë, duke aluduar veçanërisht në faktin se shqiptarët përbëjnë 29.5% të popullsisë së përgjithshme. Ai atëherë premtoi se, sapo të vinte në pushtet, do të organizonte një “regjistrim elektronik” për të “korrigjuar” rezultatet. Ky nuk është një rast i izoluar, por pjesë e një sërë premtimesh nacionaliste të përmbledhura nën sloganin “t’iu tregohet vendi shqiptarëve”, thuhet në reagimin e BDI-së.  

Për BDI-në është është tronditëse se koalicioni VLEN brenda kësaj qeverie, si theksohet në kumtesë, përmes avokatisë shokuese, po e legjitimojnë dhe po e verifikojnë këtë politikë të pushtetit. 

“Të shantazhuar dhe të kapur, ata krijojnë përshtypjen e rreme se qeveria është multietnike dhe se brenda saj dikush po i mbron interesat e shqiptarëve. 

Shqiptarët nuk janë naivë dhe nuk do të pranojnë kurrë të bëhen subjekt i një “inxhinieringu digjital” nga ana e pushtetit, pa marrë parasysh që në këtë operacion po marrin pjesë aktive edhe shqiptarët e VLEN-it. Këto përpjekje nuk do të kalojnë. Për këtë i sigurojmë edhe shqiptarët por edhe ata që janë duke i bërë këto përpjekje të rrezikshme për ardhmërinë e shtetit”, mbaron reagimi i BDI-së.  

Për ASH-në e Taravarit, ky paralajmërim, në kushtet aktuale politike, nuk është thjesht një veprim teknik, por një hap i rrezikshëm dhe i qëllimshëm, që vjen në funksion të deformimit të përqindjes reale të shqiptarëve dhe në kundërshtim flagrant me standardet ndërkombëtare statistikore dhe udhëzimet e Eurostat-it, të cilat përcaktojnë që regjistrimet e popullsisë duhet të realizohen në dekada të plota – përkatësisht në vitet që përfundojnë me “0” ose “1” (siç është 2030 apo 2031). 

“Kjo tentativë, e ndërmarrë nga një qeveri monoetnike pa legjitimitet politik shqiptar, është tendencioze, e papranueshme dhe provokuese, sidomos pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që hodhi poshtë ndarjen diskriminuese të popullsisë në “rezidentë” dhe “jo-rezidentë”, një ndarje që kishte vetëm një qëllim: uljen artificiale të përqindjes së shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. Përpjekjet për regjistrim të parakohshëm janë sinjal i qartë i një plani të errët të VMRO-DPMNE-së për të riformatuar realitetin demografik dhe për të rrëzuar themelet e Marrëveshjes së Ohrit, mbi të cilën ndërtohet bashkëjetesa dhe balanca ndëretnike në vend”, thuhet në reagimin e ASH.  

Nga ASH e paralajmërojnë publikisht VMRO-DPMNE-në dhe kryeministrin Mickoski. 

“Nuk do të lejojnë zbatimin e një regjistrimi të tillë të manipuluar dhe se do të përballen me shqiptarët – me popullin, me organizatat dhe me forcat e vërteta demokratike, jo me përfaqësuesit e VLEN-it që po e justifikojnë çdo hap të kësaj qeverie antishqiptare me kokën në thes. Shuplaka e parë politike do të vijë në muajin tetor, në zgjedhjet që do të dëshmojnë fundin e mashtrimit dhe rrëzimin e piramidës artificiale të VLEN-it. Atëherë do të nisë beteja e madhe për mbrojtjen e së vërtetës statistikore, të drejtës për përfaqësim dhe për të ardhmen euroatlantike të vendit. Ne deklarojmë qartë dhe prerë se regjistrimi i popullsisë nuk do të ndodhë sipas vullnetit të Mickoskit, as sipas agjendave të ndikuara nga “Bota Serbe”. Nuk do të lejojmë manipulim me identitetin, me numrat dhe me të ardhmen e shqiptarëve, dhe çddo përpjekje për regjistrim të parakohshëm është sulm ndaj paqes, bashkëjetesës dhe themeleve të shtetit. Ne i bëjmë thirrje qeverisë që të ndalë çdo hap të mëtejshëm drejt këtij projekti të rrezikshëm dhe të tërhiqet nga planet destabilizuese, që rrezikojnë kohezionin social dhe orientimin strategjik të vendit”, thonë tutje nga ASH.  

Nga aty u bëjnë thirrje përfaqësuesve të VLEN-it që të reflektojnë sa nuk është vonë, të rikthehen te populli dhe të mos presin që t’u ndodh populli. Heshtja dhe servilizmi përballë padrejtësive nuk janë zgjidhje – janë bashkëfajësi historike. Aleanca për Shqiptarët do të jetë në krye të frontit qytetar, politik dhe institucional për të mbrojtur të drejtën e shqiptarëve për përfaqësim të drejtë, barazi dhe dinjitet në Maqedoninë e Veriut. 

“Ne nuk do të lejojmë një masakër demografike! Shqiptarët nuk janë statistikë që manipulohet – janë themel i këtij shteti dhe aktorë vendimtarë të së ardhmes së tij”, mbaron reagimi i ASH-së.  

Nga ana tjetër, nga VLEN pyesin BDI-në, se pse heshtë dhe për çfarë pazari urdhëruan fshirjen e mërgatës nga regjistrimi?

“Edhe pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që shpalli antikushtetuese ndarjen në rezident dhe jorezident, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) nuk jep asnjë përgjigje dhe nuk tregon se kush e mori vendimin që të fshihet mërgata shqiptare nga regjistrimi i popullsisë së vitit 2021? Për çfarë çmimi u shitën shqiptarët në këtë pazar të pistë politik?Koalicioni VLEN do të kërkojë përgjegjësi penale për të gjithë ata të cilët pa asnjë bazë ligjore, shpikën kategorinë e banorëve “jorezidentë”, duke tejkaluar kompetencat dhe duke përjashtuar me qëllim mërgatën nga të dhënat zyrtare” thonë nga VLEN.

Nga aty sqarojnë se nuk është diskutuar për organizim të një procesi të ri të regjistrimit të popullsisë para afatit të rregullt dhe se nuk do të ketë regjistrim tjetër vitin e ardhshëm.

“Çdo regjistrim i radhës duhet të jetë rezultat i analizave të thelluara dhe me konsensus politik. Regjistrimi i radhës i popullsisë do të korrigjojë mashtrimin e BDI-së dhe LSDM-së dhe të siguroj një proces të drejtë, gjithëpërfshirës dhe të pranuar nga të gjitha palët. VLEN mbetet fuqishëm në mbrojtje të mërgatës shqiptare, e cila për dekada ka qenë dhe mbetet shtylla kryesore e mbijetesës ekonomike, sociale dhe kombëtare të shqiptarëve në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Ata nuk janë banorë “jorezidentë”, por pjesë e pandashme e këtij kombi dhe kontribuues të drejtpërdrejtë në zhvillimin e vendit tonë”, thuhet në kumtesën e koalicionit VLEN.

Kujtojmë se, Ministri i Transformimit Digjital, Stefan Andonovski, deklaroi se Maqedonia është teknikisht e gatshme për të kryer regjistrim digjital të popullsisë në vitin 2026. Në një intervistë me Sitel, ai theksoi se ky proces është përfshirë tashmë në programin e qeverisë dhe se aktivitetet përgatitore janë duke u zhvilluar tashmë. Gatishmëri për Regjistrim të jashtëzakonshëm ka shprehur edhe kryeministri Hristijan Mickoski. 

Sipas të dhënave nga Regjistrimi i vitit 2021 i publikuar nga Enti Shtetërore e Statistikave, Popullsia e përgjithshme e Maqedonisë së Veriut sipas përkatësisë etnike është si vijon:

  • 54.21% – Maqedonase
  • 29.52% – Shqiptarë
  • 3.98% – Turq
  • 2.34% – Rom
  • 0.44% – Vlleh
  • 1.18% – Serb dhe të tjerë