RMV, është lëshuar urdhër për bllokimin e 104 ueb-faqeve të tjera që organizojnë ilegalisht lojëra të fatit online
Ministria e Transformimit Digjital ka dorëzuar urdhër për bllokimin e 104 faqeve të tjera të internetit përmes të cilave organizohen ilegalisht lojëra të fatit online. Me këtë, siç bëjnë të ditur nga Ministria, numri i përgjithshëm i adresave të bllokuara arrin në 462, transmeton Portalb.mk.
Urdhri për bllokim i është dorëzuar Agjencisë për Komunikime Elektronike (AKE), e cila ka për obligim që brenda pesë ditëve nga pranimi ta përcjellë te të gjithë operatorët e rrjeteve të komunikimit elektronik.
Operatorët duhet të kufizojnë menjëherë qasjen në faqet e përmendura, ndërsa përdoruesve që do të tentojnë t’i hapin ato do t’u shfaqet një njoftim zyrtar për arsyen e bllokimit.
Qëllimi kryesor i këtyre masave, sipas Ministrisë përkatëse, është mbrojtja e qytetarëve nga keqpërdorimet e mundshme, rreziqet kibernetike dhe shpërndarja e të dhënave personale dhe financiare në platforma të paverifikuara. Nga Ministria theksojnë se vëmendje e veçantë i kushtohet mbrojtjes së të miturve nga ndikimet e dëmshme dhe ekspozimi ndaj bixhozit online.
Ministria e Transformimit Digjital u bëri thirrje publike të gjithë qytetarëve që të jenë të kujdesshëm me të dhënat e tyre në internet. Apel i veçantë iu drejtua prindërve dhe kujdestarëve që të përcjellin rregullisht aktivitetet online të fëmijëve të tyre dhe të bisedojnë me ta për rreziqet në hapësirën digjitale.
Nga Ministria e Transformimit Digjital paralajmërojnë se do të vazhdojnë të ndërmarrin të gjitha masat në kuadër të kompetencave të tyre për të luftuar bixhozin ilegal online dhe për të ndërtuar një hapësirë më të sigurt të internetit për të gjithë.
Kujtojmë se në korrik 2025, ministri i Transformimit Digjital, Stefan Andonovski, nënshkroi urdhrin e tretë me të cilin ndalohen 42 faqe të reja të lojërave të fatit online, duke mbyllur atëkohë gjithsej 268 faqe të paligjshme të lojërave të fatit.