Regjim i posaçëm komunikacioni sot në një pjesë të qendrës së Shkupit

Sot, në periudhën nga ora 10 deri në 12, në rrugët përreth ndërtesës së Qeverisë do të ketë regjim të veçantë të komunikacionit, njofton Ministria e Punëve të Brendshme (MPB). Shkak për vendosjen e regjimit të posaçëm të qarkullimit është mbajtja e protestës para Qeverisë, transmeton Portalb.mk.

“Ministria e Punëve të Brendshme u bën thirrje të gjithë shfrytëzuesve të rrugës që të respektojnë urdhrat e punonjësve të uniformuar të policisë përgjatë rrugës ku do të zhvillohet protesta, për të garantuar qarkullim të sigurt dhe të qetë”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.

Kufizimet në komunikacion vijnë për shkak të zhvillimit të protestët për rastin me Klinikën e Onkologjisë.

Dyshimet për shpërdorim të barnave dhe terapive për trajtimin e kancerit nga Klinika e Onkologjisë në Shkup morën hov që në shtator të këtij viti dhe për një kohë të shkurtër u organizua një protestë para Qeverisë dhe Prokurorisë së RMV, meqë u paraqitën shumë persona me histori të familjarëve të tyre që kanë marrë terapi të dyshimtë për kancerin në këtë klinikë. Ministria e Punëve të Brendshme të njëjtin muaj, nga Prokuroria Themelore dhe dy banesa private konfiskoi disa kompjuterë, të dhëna kompjuterike dhe dokumentacion tjetër për shkaqe hetimore.