Shkup, janë paraqitur 800 kundërshtime për akomodimin në konviktet studentore

Gjithsej 800 kundërshtime janë pranuar nga Konviktin studentor shtetëror – Shkup (KSSh) lidhur me vendosjen në konvikte. Rreth 200 nga kundërshtimet janë kërkesa për transferim nga një konvikt në tjetrin, përkatësisht për transferim në konviktin e studentëve “Goce Dellçev”, ndërsa pjesa tjetër e kundërshtimeve kanë të bëjnë me kërkesat për lirim nga pagesa e qirasë dhe ushqimit në konvikt, të cilat nga ky vit akademik janë 3.945 denarë në muaj, transmeton Portalb.mk.

“Sot i kemi dorëzuar kundërshtimet në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës (MASH), tani nga aty duhet të vendosin se cilat kundërshtime do t’i pranojnë dhe cilat do t’i refuzojnë. Me shumë mundësi, ata studentë që kërkojnë të transferohen në “Goce Dellçev” do të refuzohen sepse aty është i plotësuar i gjithë kapaciteti dhe nuk ka vende të lira”, thotë Viktor Velevski, drejtor i KSSh-së.

Afati për paraqitjen e kundërshtimeve ishte pesë ditë pas shpalljes së rezultateve, e cila u bë më 6 shtator. Në atë kohë qindra studentë me valixhet dhe çantat në duar prisnin në radhë për të hyrë në konviktin “Goce Dellçev”.

Autoritetet nuk e realizuan premtimin se do të digjitalizoheshin evidencat e studentëve me regjistrimin në konvikt, ndaj qiramarrësit në konvikte prisnin të dorëzonin dokumentacionin e nevojshëm dhe të zhvendoseshin në dhoma. Çmimet e akomodimit këtë vit janë më të larta se vitin e kaluar. Nëse një student në “Goce Dellçev” vitin e kaluar ka paguar 3.645 denarë, tani paguan 3.945 denarë në muaj.

Akomodimi në konviktet “Stiv Naumov” dhe “Goce Dellçev” do të zgjasë dhjetë ditë. Konvikti “Kuzman Josifovski Pitu” këtë vit nuk do të pranojë studentë për shkak të renovimeve që bëhen në të. Këto tri konvikte janë nën juridiksionin e KSHS – Shkup, ndërsa “Pellagonia” dhe “Tome Stefanovski Seniq” janë subjekte të veçanta juridike.

“Në “Goce Dellçev” ka 1.176 vende, tani janë plotësuar 960. Vendet  e tjera MASH-i i len të lira për studentët e vitit të parë. Interesimi është më i madh për këtë konvikt sepse këtu kushtet për banim janë më të mira. Në Stiv Naumov godinat një dhe dy janë jashtë funksionit që nga viti 2019. Atje funksionon godina e tretë, në të këtë vit do të ketë studentë, por do të jetë me gjysmë kapaciteti, d.m.th. do të vendosen 359 studentë, ndërkohë që vend ka për 620. Kjo bëhet për shkak të problemeve me rrjetin e kanalizimit që e bën të pamundur përdorimin e tualeteve për shkak se bllokohen. Aty ka edhe pavijone ku kapaciteti është 138, e që çdo vit mbushen deri në vendin e fundit. Kemi lënë dhoma të veçanta për personat me aftësi të kufizuara, ku çdo gjë është e përshtatur për ta”, informoi Velevski.