Komuna e Karposhit: Në buxhetin e ardhshëm do të sigurojmë mjete për servisimin e ashensorëve te Zyra e Deputetëve

Komuna e Karposhit premton se në buxhetin e ardhshëm do të ndajë mjete për servisimin dhe mirëmbajtjen e ashensorëve, me qëllim që qytetarëve me pengesa t’u sigurohet qasje deri te Zyrat për Komunikim të Qytetarëve me Deputetët e zonës, për çka Komisioni për Parandalim dhe Mbrojtje nga Diskriminimi (KPMD) në bazë të hulumtimit të Portalb.mk konstatoi se Komuna e Karposhit po kryen diskriminim të vazhdueshëm ndaj personave me pengesa. Megjithatë, komuna nuk e ka respektuar afatin kohor për zbatimin e rekomandimeve të KPMD-së dhe për këtë, vazhdon me procedurën kundërvajtëse kundër kryetarit të komunës, njofton Portalb.mk.

Shërbimet e Komunës së Karposhit, ndaj kërkesës së Portalbit për qasje të lirë deri tek informatat me karakter publik kanë dërguar një pjesë të korrespodencës së Komunës së Karposhit me Komisionin për Parandalim dhe Mbrojtje nga Diskriminimi, e cila ka të bëjë me mungesën e qasjes së qytetarëve me pengesa deri te Zyrat për Komunikim të Qytetarëve me Deputetët e zonës, pasi ato ndodhen në mbikalim ku nuk punojnë ashensorët dhe shkallët elektrike.

“Ju informojmë si edhe në përgjigjet e mëparshme se deri tani nuk kemi marrë ankesa ose informata nga shfrytëzuesit se hapësirat që janë të siguruara nga ana jonë për komunikimme deputetët nuk janë të qasshme për personat me pengesa. Njëkohësisht, ju informojmë se në planifikimin e buxhetit të ardhshëm do të planifikohen mjete për servisimin dhe mirëmbajtjen e ashensorëve ekzistues në objektin në fjalë”, thonë nga Komuna e Karposhit.

Nga KPMD për Portalb.mk, shtojnë se megjithatë, procedura kundërvajtëse do të vazhdojë, gjegjësisht, janë duke i mbledhur të dhënat për kryetarin e komunës.

“Komisioni ka filluar procedurën me atë që në korrespodencës me organeve kompetente është në fazën e sigurimit të të dhënave të obligueshme sipas ligjit  për personin kundër të cilit do të dorëzohet kërkesa për ngritjen e procedurës kundërvajtëse”, thonë për Portalb.mk nga KPMD.

Në bazë të hulumtimit të Portalb.mk të publikuar më 24 shtator të vitit 2022, në dhjetor të vitit 2022, KPMD miratoi mendim, nëpërmjet të cilit konstatoi se Komuna e Karposhit ka kryer diskriminim të vazhdueshëm ndaj qytetarëve me pengesa, banorë të kësaj komune, duke shkelur njëkohësisht dhe Kushtetutën e shtetit. Gjegjësisht, ashtu siç raportoi Portalb.mk, zyrat ndodhen në mbikalimin “Vllajko”, ku ashensorët dhe shkallët elektrike nuk punojnë.

Pas konstatimit të diskriminimit, Komisioni i ka dhënë Komunës së Karposhit dy rekomandime me afate konkrete:

  1. Komuna e Karposhit të përgatisë plan aksional me specifikime të aktiviteteve konkrete, afate kohore dhe implikime financiare për sigurimin përshtatjes përkatëse e cila do t’u mundësojë qasje të personave me pengesa deri te zyrat për kontakt të qytetarëve me deputetët e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Komuna e Karposhit është e obliguar të veprojë në pajtueshmëri me këtë rekomandim dhe ta dorëzojë planin aksional me shkrim ose formë elektronike deri te Komisioni për Parandalim dhe Mbrojtje nga Diskriminimi në afat prej 30 ditëve nga dita e pranimit të mendimit.
  2. Komuna e Karposhit t’i mbarojë të gjitha masat e domosdoshme dhe aktivitetet për sigurimin e përshtatjes përkatëse me të cilën do të mundësohet qasja e personave me pengesa deri te zyrat për kontakt të qytetarëve me deputetët e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Komuna e Karposhit është e obliguar që të veprojë sipas këtij rekomandimi dhe ta mënjanojë shkeljen e të drejtës në afat prej 180 ditëve nga pranimi i mendimitdhe për atë ta njoftojë Komisionin për Parandalim dhe Mbrojtje nga Diskriminimi.

Megjithatë, ka kaluar dhe afati i paraparë prej 180 ditëve, gjegjësisht gjashtë muajve, por Komuna e Karposhit ende nuk e kanë mënjanuar diskriminimin.

Portalb.mk, e vizitoi vendin disa herë, por pavarësisht rekomandimeve të KPMD-së, në terren asgjë nuk është punuar. Për ironi, krahas kësaj zyre, mbi urë, ndodhet edhe “Info Zyra për Ndihmë dhe Kujdes në Shtëpi”. Dyert e kësaj zyre janë të mbuluara me fotografi të personave të moshuar të cilëve u ndihmojnë infermieret dhe stafi mjekësor.

“Kujdes për persona të moshuar në kushte të shtëpisë në Komunën Karposh. Pasi që vetëm shtëpia është shtëpi”, thuhet në mbishkrime.

Por, këto mbishkrime s’kanë mundësi t’i shohin personat e moshuar dhe ato me pengesa pasi që ndodhet në urën me 30 shkallë, ku nuk punon ashensori e as shkallët elektrike.

Sipas storjes së Portalb.mk, qytetarët duhet t’i kërkojnë gjithandej të punësuarit e Zyrave për Kontakt me Qytetarët, të cilët janë të angazhuar në orar të caktuar që të sigurojnë komunikim të deputetëve dhe qytetarëve. Portalb.mk i vizitoi 4 zyra në lokacione të ndryshme, gjegjësisht Tetovë, Çair, Karposh dhe Shuto Orizare për të shikuar nga afër si funksionojnë. Sipas asaj që pamë në terren, zyrat në fjalë nuk e respektojnë orarin e punës, ndërkaq disa prej tyre as nuk u përgjigjen thirrjeve telefonike. Qytetarët e kanë vështirë të kontaktojë me përfaqësuesit e deputetëve të cilët do të duhet t’i dëgjojnë hallet dhe nevojat e tyre, e që më pas të njëjtat të dorëzohen në Kuvend për të gjetur zgjidhje të caktuar.