PYETJE TË THJESHTA

Politikanët s’duhet t’i pyesim se ç’kanë bërë, ç’duan të bëjnë, ç’mendojnë për rivalët politikë apo për zhvillimet ditore, lokale, rajonale, globale, sepse do t’i përsërisin klishetë e njëjta.

Politikanëve duhet t’u bëjmë pyetje të thjeshta.

Pasi vetëquhen politikanë dhe pretendojnë se merren me politikë, ata duhet t’i pyesim: Çfarë është politika dhe cili është misioni i saj? Pse shërbejnë partitë politike? Cila parti quhet e djathtë, e majtë, liberale, socialdemokrate?

Pasi thirren në vlerat kombëtare, duhet t’i pyesim: Çfarë është kombi?

Pasi flasin për liri, duhet t’i pyesim: Çfarë është liria?

Pasi flasin për demokraci, duhet t’i pyesim: Çfarë është demokracia dhe ku dallon nga liria?

Pasi flasin për barazi, duhet t’i pyesim: Çfarë është barazia?

Pasi flasin për gjuhën, duhet t’i pyesim: Çfarë është gjuha dhe pse shërben ajo?

Pasi flasin për arsimin, duhet t’i pyesim: Cilat janë vlerat dhe qëllimet themelore të sistemit tonë arsimor?

Pasi flasin për politikat kulturore, duhet t’i pyesim: Çfarë është arti, kultura, qytetërimi?

Pasi flasin për integrimin europian, duhet t’i pyesim: Si u zhvillua ideja europiane? Ku janë burimet e qytetërimit europian? Cilët janë vlerat themelore të BE-së? Çfarë është vlera e pakufishme e njeriut? Çfarë është superioriteti i arsyes? Çfarë është larmia kulturore? Cilat janë pikëpamjet e Jean Monnet-it ose të Denis de Rougemont-it për Europën e Bashkuar?

Pasi merren me politikë të jashtme, duhet t’i pyesim për teoritë dhe historinë e diplomacisë ndërkombëtare; për librat e Samuel Huntington-it, Henry Kissinger-it, Francis Fukuyama-s, Zbigniew Brzezinski-t etj. dhe për pikëpamjet e tyre mbi politikën ndërkombëtare.

Nëse ndonjë politikan nuk i di përgjigjet e mësipërme dhe nëse vazhdojmë ta votojmë, atëherë kjo është e njëjtë sikur ta vlerësojmë matematikanin që s’e di çfarë është matematika, letrarin që s’e di çfarë është arti dhe letërsia, aktorin e regjisorin që s’e di çfarë është teatri, mjekun që s’e di çfarë është mjekësia, trajnerin e futbollit që s’e di me sa lojtarë luhet një ndeshje sporti…

Politikani nuk është vetëm njeri veprimi. Ai duhet të jetë edhe njeri mendimi. Nikolas Tenzer-i, në librin Politika (1991) shkroi se që të merresh me politikë s’mjafton vetëm të mendosh, por duhet edhe të veprosh, por para se të veprosh më parë duhet të kesh menduar.

Për një politikan nuk mjaftojnë vetëm përgjigjet e sakta në pyetjet e mësipërme, por duke i ditur përgjigjet, së paku, ai e di se cili është misioni i politikës. Së paku ka lexuar diçka për “profesionin” e tij…

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.