Recep Tayyip Erdogan rizgjidhet president i Turqisë

Kreu i Këshillit Suprem Zgjedhor i Turqisë (YSK), Ahmet Yener, ka bërë të ditur se Recep Tayyip Erdoğan është rizgjedhur president i Turqisë në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale, raporton Anadolu.

Duke folur për gazetarët në kryeqytetin Ankara, kreu i YSK-së tha se në raundin e dytë të zgjedhjeve Erdoğan fitoi presidencën e Turqisë kundrejt kandidatit të opozitës, Kemal Kılıçdaroğlu.

Sipas rezultateve jozyrtare, tha Yener, presidenti aktual turk fitoi garën zgjedhore me 52,14 përqind të votave, ndërsa Kılıçdaroğlu grumbulloi 47,86 përqind të votave. Ai shtoi se deri më tani në mbarë vendin janë hapur 99,43 përqind e kutive të votimit.

Mbi 64,1 milionë qytetarë turq kishin të mundësinë të shfrytëzojnë të drejtën e tyre të votës, duke përfshirë mbi 1,92 milion të cilët hodhën votën e tyre në qendrat e votimit jashtë shtetit.

Më 14 maj, në raundi ne parë, asnjë kandidat nuk arriti të sigurojë 50 përqind të votave të kërkuara, duke çuar zgjedhjet në raundin e dytë, megjithëse Erdoğan kryesoi me 49,52 përqind të votave.

Atë ditë, në raundin e parë, Aleanca e Popullit e udhëhequr nga Erdoğan gjithashtu fitoi një shumicë në parlamentin turk.