Erdogan: Zgjedhjet i fituan të gjithë 85 milionë qytetarët e Turqisë

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, i sigurt në kryesimin e tij të qartë drejt rizgjedhjes, ka deklaruar se fitues në zgjedhjet kombëtare që përfunduan sot janë 85 milionë qytetarët e Turqisë, raporton Anadolu.

“Fituesit e zgjedhjeve të 14 majit dhe të 28 majit janë të gjithë 85 milionë qytetarët tanë”, tha presidenti Erdoğan në një fjalim drejtuar kombit nga qyteti i Stambollit.

“Ne thamë ‘do të fitojmë në një mënyrë që askush të mos humbasë’. Kështu që, sot fituesja e vetme është Turqia”, theksoi Erdoğan.

Më tej, ai tha se me këtë fitore është hapur dera e “Shekullit të Turqisë”.

“Ne përfunduam raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale me vullnetin e kombit tonë”, tha Erdoğan.

“Dëshiroj të falënderoj çdo pjesëtar të kombit tonë që na besoi edhe një herë përgjegjësinë e qeverisjes së vendit për 5 vitet e ardhshme”, u shpreh ai.

Nga 75,42 përqind të votave të numëruara, presidenti Erdoğan kryeson në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale me 53,41 përqind të votave, ndërsa kandidati i opozitës, Kemal Kılıçdaroğlu, ka 46,59 përqind.

Në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale, më 14 maj, asnjë kandidat nuk arriti të sigurojë 50 përqind të votave të kërkuara, megjithëse Erdoğan kryesoi me 49,52 përqind. Aleanca e Popullit e udhëhequr nga Erdoğan gjithashtu siguroi shumicën në parlamentin turk.