Këshilli Suprem i Zgjedhjeve në Turqi: Erdogan kryeson zgjedhjet me 53,41 përqind të votave
19:47 – Kreu i Këshillit Suprem Zgjedhor të Turqisë (YSK), Ahmet Yener, ka bërë të ditur se presidenti Recep Tayyip Erdoğan kryeson në raundin e dytë të zgjedhjeve me 53,41 përqind të votave, ndërsa kandidati i opozitës, Kemal Kılıçdaroğlu, ka 46,59 përqind të votave, raporton Anadolu.
Duke folur për gazetarët në kryeqytetin Ankara, Yener tha se deri më tani në mbarë vendin janë numëruar 75,42 përqind të votave. Ai theksoi se Erdoğan kryeson garën presidenciale me 53,41 përqind, ndërsa Kılıçdaroğlu ka 46,59 përqind të votave.
18:41 – Zgjedhjet presidenciale në Turqi: Erdogan kryeson zgjedhjet me 54,47 përqind të votave
Sipas rezultateve nga 54,6 përqind të votave të numëruara, Erdoğan kryeson zgjedhjet me 54,47 përqind të votave, ndërsa Kılıçdaroğlu ka 45,53 përqind të votave.
Më shumë se 64,1 milionë njerëz u regjistruan për të votuar, përfshirë mbi 1,92 milionë që votuan më herët në qendrat e votimit jashtë shtetit.
Gjithsej 191.885 kuti votimi u vendosën për votuesit në të gjithë Turqinë.
Gjithashtu u mbyllën edhe qendrat e votimit në pikat kufitare, ndërsa votimi në misionet diplomatike të Turqisë jashtë shtetit përfundoi më 24 maj.
Numërimi i votave ka filluar për të përcaktuar rezultatin e garës së sotme midis presidentit Recep Tayyip Erdoğan dhe kandidatit kryesor të opozitës Kemal Kılıçdaroğlu për një mandat pesëvjeçar.
Miliona votues iu drejtuan kutive të votimit më 14 maj për të zgjedhur presidentin e vendit dhe anëtarët e parlamentit prej 600 vendesh.
Aleanca Popullore e Erdoğanit fitoi shumicën e vendeve në parlament kundër Aleancës Kombëtare opozitare të përbërë nga gjashtë parti politike.
Mirëpo, gara presidenciale shkoi në raund të dytë pasi asnjë kandidat nuk arriti të merrte shumicën e thjeshtë, ose mbi 50 përqind të votave, megjithëse Erdoğan kryesonte me 49,5 përqind të votave.