Rasti Rashkovski, njëri nga të dënuarit i propozoi martesë një të dënuarës, pasi prokurorja i tha se do të arratiset pasi është i pamartuar

Pas shpalljes së aktgjykimit të shkallës së parë për rastin “Softueri i Rashkovskit”, Daniel Stançev, i cili u dënua me katër vjet burg, në sallën e Gjykatës Penale në Shkup i propozoi të akuzuarës Irena Ivanovska, e cila u dënua me tre vjet e gjysmë burg, raporton SDK, përcjell Portalb.mk.

Ky veprim erdhi pasi prokurorja Ivana Trajçeva kur kërkoi edhe paraburgim për Daniell Stançevin, ndër të tjera tregoi se ai është i lirë, i pamartuar dhe lehtë mund të largohet nga Maqedonia me dënimin për katër vjet burg.

“Pasi gjendja ime familjare, si i pamartuar, për prokuroren është arsye që do të arratisem, ja me zemrën time publikisht e pyes Irena Ivanovskën, a do të martohet me mua? Ti je arsyeja e vetme pse unë qëndroj në këtë tokë”, i propozoi Stançev të dashurës Ivanovska, duke theksuar që janë në lidhje tete vjet.

Ivanovska u afrua te Stançev e përqafoi dhe e puthi, duke marrë përgëzime edhe nga gjyqtarja Fanka Jançuleva Mihaillovska, e cila i kërkoi dëshmi tjera që ai nuk do të arratiset.

Ndryshe, në Gjykatën Themelore Penale në Shkup, sot u shpall akgjykimi për rastin “Softueri”. Të akuzuarit u shpallën fajtorë dhe u dënuan nga tre deri në 8 vjet burg. I akuzuari kryesor, Dragi Rashkovski u dënua me 8 vjet burg. Të akuzuarit u shpallën fajtorë dhe u dënuan: Dragi Rashkovski – 8 vjet burg; Ivica Dimitrovski – 5 vjet; Igor Hristov – 5.5 vjet burg; Daniel Stançev – 4 vjet burg; Irena Ivanovska – 3.5 vjet burg; Igor Ivanovski – 3 vjet burg dhe Maja Siljanovska – 3 vjet burg.

Aktakuza për rastin “Softuerët” përfshin blerjen e dy softuerëve për kundërvajtje në komunikacion dhe për identifikim biometrik, të cilat sipas Prokurorisë nuk janë kërkuar dhe përdorur nga askush. Aktakuza përfshin edhe pagesën e tarifave nga e cila sipas prokurorisë ka marrë pjesë edhe ish-sekretari i përgjithshëm. Rashkovski ndiqet penalisht për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe larje parash. Me të akuzohen edhe gjashtë persona të tjerë: Ivica Dimitrovski, Igor Hristov, Daniel Stançev, Irena Ivanovska, Igor Ivanovski dhe Maja Siljanovska.