Bekteshi: Problemi me rrymën në Sllupçan do të zgjidhet, të gjithë qytetarët patjetër të paguajnë rrymën elektrike

Problemi i furnizimit me energjinë elektrike në fshatin Sllupçan sot do të zgjidhet, deklaroi ministri i ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, pasi për shkak shfrytëzimit të paautorizuar të rrymës, u dëmtua rrjeti për furnizim me energji elektrike, duke pamundësuar që disa fshatra të Likovës të kenë rrymë, transmeton Portalb.mk.

“Të gjithë qytetarët ptjetër duhet të paguajnë rrymë, ndërsa Ministria për Ekonomi do të ndihmon në çdo situatë ku do të ketë nevojë, në përputhje me kompetencat që i ka”, deklaroi ministri Bekteshi.

Ai deklaroi që personalisht është i interesuar në procesin për zvogëlimin e humbjes së energjisë elektrike, duke i porositur qytetarët që energjia elektrike gjithkund duhet të paguhet.

“Siç ishte rasti me Haraçinën dhe vendet tjera, çdo qytetar duhet të paguan për rrymën e shpenzuar, ashtu funksionon edhe ekonomia e tregut dhe ekonomia e rregulluar, pasi çmimi i energjisë elektrike është i rregulluar në vendin tonë”, deklaroi Bekteshi.

Ndryshe, në fshatin Sllupçan të komunës së Likovës mbrëmë ku një grup banorësh kanë bllokuar rrugët për të penguar ekipet për nxjerrjen e orëmatësit jashtë shtëpive të tyre, ashtu siç veprohet në të gjithë vendbanimet tjera në vend.

Ndërkohë kompania energjetike EVN është prononcuar lidhur me protestat. Nga EVN-ja thonë se nga përpjekja e disa banorëve për të rikthyer vet furnizimin me energji elektrike është shkaktuar një defekt i madh që ka lënë pa rrymë edhe fshatra të tjerë.