Filluan bisedimet joformale të paqes mes Rusisë, Ukrainës dhe Amerikës
Bisedimet joformale trepalëshe mes Rusisë, Ukrainës dhe Shteteve të Bashkuara kanë nisur sot në Abu Dhabi, kryeqytetin e Emirateve të Bashkuara Arabe, transmeton Portalb.mk.
Sipas Zyrës Presidenciale të Ukrainës, nuk ka një orar zyrtar për fillimin e bisedimeve.
Megjithatë, disa ekipe tashmë ndodhen në vend dhe po zhvillojnë diskutime joformale.
Agjencia RBC-Ukrainë raporton se këshilltari për komunikim i presidentit ukrainas, Dmytro Lytvyn, ka deklaruar se në bisedime marrin pjesë “përfaqësues të ndryshëm”, pa dhënë detaje shtesë.
Më herët, Sky News raportoi se këto mund të jenë bisedimet e para të drejtpërdrejta trepalëshe për paqe që nga fillimi i luftës në shkurt të vitit 2022.
Megjithatë, ende nuk është e qartë nëse përfaqësuesit e Rusisë dhe Ukrainës ndodhen në të njëjtën dhomë.