Fillkov: Rasti i Ristovit me 350 mijë eurot e murosura përveç se skandal tregon dobësitë e sistemit

Përveç se skandal, rasti ku në shtëpinë e pridërve të gjykatësit të Apelit Gjoko Ristov u gjetën 360 mijë euro, tregon për dobësitë e sistemit. Kështu tha sot ministri i Drejtësisë, Igor Fillkov, transmeton Portalb.mk.

“Nuk është vetëm skandal. Është simbol i një dobësie të thellë sistemike, simbol i një kulture të pandëshkueshmërisë, heshtjes dhe mbrojtjes së ndërsjellë, e cila prej kohësh e gërryen besimin në sistemin e drejtësisë”, tha Fillkov.

Sipas tij, ky rast e dëmton edhe më tej besimin në tërë gjyqësorin dhe e vë në pikëpyetje funksionin e gjykatësit, i cili duhet të jetë në shërbim dhe në interes të qytetarëve dhe të drejtësisë, e jo privilegj.

Kronologjia e ngjarjes 

Më 18 janar, u realizua bastisje në shtëpinë në Negotinëtë prindërve të gjykatësit të Apelit në Shkup, Gjoko Ristov, ku në murin e kuzhinës u gjetën 350 mijë euro.

Më 20 janar, Ministria e Punëve të Brendshme ngriti kallëzim penal kundër gjykatësit të Apelit Gjoko Ristov për “përfitim të kundërligjshëm dhe fshehje të pasurisë” dhe “pastrim parash dhe të ardhurash tjera nga vepra penale”. 

Më 21 janar, Prokuroria Publike kërkoi arrest shtëpiak për Ristovin si dhe masa të kujdesit, konfiskimin e përkohshëm të pasaportës ose ndonjë dokumenti tjetër për kalimin e kufirit. 

Po të njëjtën ditë, më 21 janar, Gjykata Penale reagoi menjëherë për gjykatësin me imunitet i cili njoftoi Këshillin Gjyqësor, të cilët ia hoqën imunitetin gjykatësit. 

Avokati i gjykatësit ka deklaruar se paratë janë të prindërve të Ristovit nga shitja e një prone fotovoltaikësh.

Bastisje edhe në shtëpinë e gjykatësit

Përveç bastisjes në shtëpinë e prindërve të tij,  para dy javëve është bastisur edhe banesa e Ristovit në Shkup, po nuk është gjetur asgjë e dyshimtë. Para një jave, ai u ka thënë kolegëve në Gjykatën e Apelit Shkup se ishte i sëmurë dhe se do të shkonte në pushim mjekësor. Që atëherë, kolegët nuk e kanë parë. Ndërkaq, telefonin mobil ka ndaluar ta përdorë që para rreth një muaji e disa ditësh.

Me çfarë lidhet bastisja?

Bastisja lidhet me rastin në të cilin ndiqet penalisht ish avokati shtetëror Fehmi Stafa, i cili ndodhet në paraburgim pasi po hetohet për marrje ryshfeti prej 50,000 eurove për të ndërmjetësuar dhe ndikuar te një gjykatës në Gjykatën e Apelit të Shkupit në lidhje me një çështje që po zhvillohej kundër klientit të tij.

Fehmi Stafa është ish-Avokat i Shtetit i Maqedonisë. Bashkëshortja e Ristovit ishte kolege e tij dhe punon në Avokaturën e Shtetit. Sipas hetimit të 14 dhjetorit, Stafa i ka dhënë ryshfet Ristovit në emër të biznesmenit të akuzuar Ljupço Pecov, i njohur si “Djalli”, i cili deri së fundmi ishte në arrati.

Gjoko Ristov, kur në shkurt 2020 u zgjodh gjykatës në Gjykatën e Apelit të Shkupit, ku trajton çështje penale në deklaratën e pasurisë personale kishte deklaruar apartament prej 70 metrash katrorë në Shkup, një automjet “Volkswagen Passat” të vjetër rreth një dekade dhe një kredi prej 1.5 milion denarësh që duhet të kthehet deri në 2038.